Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me qytetarët në Kamëz, ka hedhur akuza të ashpra ndaj qeverisë për keqmenaxhimin e sistemit shëndetësor dhe për abuzime me fondet publike. Ai tha se aparaturat moderne të sjella gjatë qeverisjes së PD janë nxjerrë qëllimisht jashtë funksionit, për të detyruar qytetarët të bëjnë analiza në klinika private dhe të paguajnë nga xhepi.

Sipas tij, shifrat e publikuara nga INSTAT tregojnë se shqiptarët shpenzojnë mbi 820 milionë euro në vit për kujdesin shëndetësor, ndonëse qeveria kishte premtuar shëndetësi falas. “Vidhen fondet, aparaturat nuk punojnë, ilaçet mungojnë. Njerëzit nuk vdesin nga sëmundjet, por nga mungesa e trajtimit”, u shpreh Berisha.

Ai premtoi rikthimin e listës së barnave të rimbursueshme sipas modelit italian, vendosjen e një minimumi jetik dhe krijimin e një karte konsumatore për pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta. Po ashtu, ai deklaroi se emigrantët shqiptarë do të përfitojnë nga politika favorizuese si kredite të buta për biznese dhe banesa, dhe pesë vite pa taksa nëse rikthehen në atdhe.

Pjesë nga fjala e kreut të PD Sali Berisha në Kamëz:

Po, po, askush të mos e dyshojë se vendimi është solemn, paratë do t’u kthehen shqiptarëve.

Paratë do u kthen shqiptarëve në pensione dhe rroga.

Jo vetëm kaq, çdo pensionist dhe rrogëulët do ketë kartën e konsumatorit, çka do të thotë se do i blejë ushqimet dhe gjërat bazë 20 përqind më lirë se sa të tjerët.

Miqtë e mi, gjendja e kujdesit shëndetësor është katastrofike.

Para dy ditësh, INSTAT-i i qeverisë deklaroi se shqiptarët shpenzojnë për kujdesin e tyre shëndetësor nga xhepi- ky që premtoi shëndetësinë falas- shpenzojnë nga xhepi 820 milionë euro në vit, shpenzojnë më shumë se çdo komb tjetër.

A e dini ju pse shpenzoni dhe si shpenzoni nga xhepi? Ua them unë, se paratë nga buxheti që caktohen për kujdesin tuaj shëndetësor, vidhen, vidhen dhe vetëm vidhen. Nga Edi Rama me PPP-të e tij, nga ministrja e Shëndetësisë, nga Vilma Nushi.

Si u vjedhin miq? Po, po, aparaturat nuk punojnë. Aparaturat që kanë kushtuar miliona euro.

Ne importuam gjatë 8 viteve 100 milionë euro aparatura, sollëm aparaturat më moderne. Sot ato të gjitha i kanë nxjerrë jashtë përdorimi vetëm e vetëm se duhet që ju të shkoni t’i bëni tek privati analizat. Të paguani qimet e kokës tek privati.

Sot 10 ditët e fundit të muajit nuk bëhen analiza në spitale dhe ambulanca sepse duhet të shkoni t’i bëni tek privati .

Sot ciklotronët janë të gjithë të prishur.

Sot të sëmurët me sëmundjet më të rënda, të cilat i kanë jetike ilaçet, nuk vdesin nga sëmundjet, por nga mungesa e ilaçeve.

Dhe ky njeri, që mund t’i vësh çdo epitet, por nuk dua të prish gojën, thotë se aty po kryhen krime kundër njerëzimit. Po në qoftë se kryhen krime kundër njerëzimit dhe ti e sheh që po kryhen krime kundër njerëzimit dhe nuk merr asnjë masë, ti je kryekriminel i krimeve kundër njerëzimit sepse ti je kryeministër. Kryeministri ka gjithë fuqinë, të gjithë pushtetin, të gjithë paratë për të ndërhyrë me urgjencë, për të përmbysur çdo situatë, për të zgjidhur çdo situatë.

Miqtë e mi, duke vendosur minimumin jetik për çdo shqiptar, ne nxjerrim shqiptarët nga mjerimi.

Ne bëjmë që shqiptarët të mund të ushqehen, të mund të marrin ilaçet me rimbursim.

Dhe u garantoj ju, se këtu, shumica juaj këtu kush ka njerëz jashtë, gjënë e parë që i kërkon janë ilaçet, se këtu shiten ilaçe pa efekt. Ilaçet e Tom Doshit dhe Vilma Nushit e Edi Ramës, se me ata i ndajnë paratë.

Pra, jo, ne do i japim një përgjigje shumë të mirë.

Zoti Poti, që foli këtu, familjarët e tij janë sot nga biznesmenët më të suksesshëm. Por e garantoj se nuk do ketë më nevojë ilaçe prej tyre sepse listën e ilaçeve që Italia rimburson për qytetarët e vet, Shqipëria do e sjellë një për një. Po, po.

Dhe meqë jam këtu tek familjarët tu, ata dhe të gjithë emigrantët shqiptarë, të cilët e kanë këtë vit, vitin e tyre, do kthehen në Shqipëri, pesë vite pa asnjë taksë.

Do të kthehen në Shqipëri me linja të buta krediti për suksesin e bizneseve të tyre.

Me linja të buta krediti për blerjen e apartamenteve.

Ne do bëjmë gjithçka që ata të vijnë të ndërtojnë ëndrrën e tyre të bukur, ëndrrën shqiptare në dheun e tyre.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: