Gazetari dhe analisti Flogert Muça ka komentuar mundësinë e një gare për kreun e Partisë Demokratike mes Ervin Salianjit dhe Sali Berishës, duke analizuar strategjitë dhe balancat brenda partisë.
I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Muça u shpreh se lëvizjet e Salianjit kanë qenë të menduara dhe të mirëorganizuara, duke i cilësuar ato si strategjike.
“Salianji ka bërë lëvizje inteligjente, duke nisur me një provokim publik dhe duke e ndërtuar hap pas hapi daljen e tij në garë. Kjo tregon një qasje të llogaritur dhe karakteristika lideri”, u shpreh ai.
Megjithatë, Muça theksoi se sfida kryesore qëndron tek fakti nëse kjo garë do të lejohet realisht nga lidershipi aktual i PD-së.
“Rreziku është që Berisha të mos e lejojë këtë garë dhe dukshëm nuk do ta lejojë. Nëse kjo ndodh, atëherë Salianji nuk del humbës, por përkundrazi forcohet politikisht si figurë që nuk u pranua në garë”, tha analisti.
Sipas tij, Berisha ka avantazh në një përballje të drejtpërdrejtë, vetëm për shkak të strukturës dhe mbështetjes që ka brenda partisë.
“Berisha fiton përballë Salianjit sepse ka infrastrukturën për të çimentuar pushtetin në PD, ndërsa Salianji nuk e ka këtë mbështetje”, u shpreh Muça.
Ai shtoi se situata krijon një dilemë për Salianjin: nëse bashkohet me kampin e Berishës, rrezikon të humbasë kredibilitetin, ndërsa nëse përjashtohet nga gara, mund të fitojë peshë politike si alternativë.
Muça kritikoi gjithashtu mënyrën e funksionimit të brendshëm të PD-së, duke theksuar se shpesh figurat fituese janë lënë jashtë, si pjesë e një strategjie për të shmangur sfidat ndaj lidershipit.
“Në PD kane alergji ndaj fituesve, të gjithë fituesit i lanë jashtë listave për deputet. Njerëzit fitues, Berisha si strategji i largon dhe ky është kompleksi që ai mos të ketë fraksione brenda vetes që nuk e sfidojnë”, tha ai.
