Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha nuk njeh rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, duke i cilësuar ato si të manipuluara dhe të diktuara nga krimi i organizuar. Në një konferencë për mediat, Berisha akuzoi qeverinë se ka bashkëpunuar me grupe kriminale për të ndikuar vullnetin e qytetarëve dhe rezultatin përfundimtar të votimeve.

“Zgjedhjet e 11 majit nuk ishin të lira dhe as të ndershme. Ato u diktuan nga krimi. Bandat kriminale të qeverisë ishin aktive në 10 qarqe të Shqipërisë dhe në 20 bashki të vendit. Këto grupe kriminale patronuan 30 deputetë të mazhorancës kriminale”, deklaroi Berisha.

Ai përmendi konkretisht bashkinë e Vorës, ku sipas tij, një bandë lokale ka ushtruar presion dhe dhunë ndaj qytetarëve.

“Në Vorë, banda e Xhabaftit ndikoi në mënyrë të dhunshme vullnetin e qytetarëve. Ky nuk është votim demokratik, por një farsë e orkestruar nga qeveria në bashkëpunim me krimin”, tha ai.
Deklarata e Berishës vjen në një moment tensioni politik, pas publikimit të rezultateve që i dhanë mazhorancës një fitore të thellë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb