Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli në një konferencë për mediat ku komentoi protestën e zhvilluar një ditë më parë para Kryeministrisë, të organizuar nga PD.
Berisha deklaroi se protesta zgjati rreth tre orë dhe se, sipas tij, qytetarë nga Tirana dhe mbarë vendi u përballën me forcat e rendit në atë që ai e cilësoi si një reagim masiv kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Ai falënderoi pjesëmarrësit, duke përfshirë burra, gra, të rinj dhe të moshuar, për angazhimin në protestë.
Sipas Berishës, protesta nuk kishte si qëllim goditjen e institucioneve apo ndërtesave shtetërore, por ishte një shprehje zemërimi ndaj asaj që ai e quajti korrupsion të qeverisë, vjedhje të fondeve publike dhe lidhje me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës. Ai përmendi emra të personave si Belinda Balluku, Ergys Agasi, etj, duke i lidhur ata me akuza për korrupsion dhe abuzime.
Kreu i PD-së deklaroi se protesta ishte një mesazh politik dhe shoqëror, që sipas tij synon ndërgjegjësimin e qytetarëve kundër një qeverie që ai e akuzon për manipulim zgjedhjesh dhe keqmenaxhim të pasurive publike.
Berisha theksoi se protesta, sipas tij, nuk u zhvillua për interesa personale apo partiake, por për atë që e quajti dinjitet njerëzor, interes kombëtar dhe ndërgjegjen qytetare.
“Dje, për 3 orë kryengritësit guximtarë morën në dorë Tiranën, bulevardin, sheshet e saj në një protestë të fuqishme. Qindra mijëra qytetarë u përballën me guxim tyë jashtëzakonshëm për më shumë se 3 orë me falangat e krimit të narkoregjimit të Edi Ramës. Nderim të madh të gjithë atyre qytetarëve djemve, vajzave, burrave, grave, të moshuar, që nga Tirana e mbarë vendi protestuan në mënyrën më të vendosur kundër Rilindjes kalbësirë, kundër organizatës kriminale të Edi Ramës. Protesta e tyre nuk kishte lidhje me ndërtesat, as me institucione kushtetuese, protesta e revolta e zemërimi i qyettarëve shqiptarë që zien sot në gjithë vendin e diasporë ka lidhje vetëm me Ramaduron, vjedhjet e tij qindra miliona, miliarda euro. Lidhjet e tij me krimin e organizuar, kartelet e drogës. Protesta lidhet me Lubi Ballukun, Lindat e Ramës, ajo e AKSHI-t dhe Surrelit, Ergys Agasin dhe qeveritarët e tjerë hajdutë. Dje regjimi u trondit nga themelet. Dje qytetarët triumfuan në rrugë dhe sheshet e Tiranës. U bënë zëri i ndërgjegjes së njerëzve të ndershëm, të cilët nuk pajtohen kurrë me një qeveri me lidhje të tmerrshme me drogën dhe krimin. Nuk pajtohen me një qeveri që del nga farsa elektorale dhe vjedh çmendurisht pasuritë publike. Dje ata ishin ndërgjegjja e kombit në betejë dhe përcollën mesazh për cdo shqiptar se nuk po luftojmë për veten tonë, nuk po luftojmë për Sali Berishën, për PD-në apo parti të tjera, por po luftojmë për ndërgjegjen e njeriut dhe dinjitetin njerëzor e interesin kombëtar”, tha ai.
