TIRANE- Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar sërish në rrjetin social “Facebook” në lidhje me një foto të publikuar, ku sipas tij kryeministri Rama i jepte dorën një trafikanti droge.

Berisha nuk ka ndalur akuzat ndaj Endri Pezën, i cili reagoi fill pas publikimit të fotos së tij me Ramën, ndërsa theksoi se nuk kishte lidhje me trafikun e drogës. Nga ana tjetër Berisha publikoi një lajm të një media italiane ku përmendet dhe emri i Endri Pezës dhe arrestimi i tij si pjesë e një grupi trafikantësh droge. Në lajmin e publikuar në mediat e shtetit fqinj bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur gjatë muajt shtator të vitit të kaluar në Pescara të Italisë, ku u arrestuan një grup trafikantësh heroine, mes tyre shqiptari me emrin Endri Peza.

Po sipas këtyre mediave, ngarkesa e drogës vinte nga Shqipëria, ndërsa zbarkoi në Bari, e më pas ndoqi një itinerar nga Piemonte dhe Veneto, deri në Pescara. Në kuadër të operacionit antidrogë “Via del Sole”, u bë e mundur prangosja e 5 personave, përkatësisht; 27-vjeçari Sergio Morelli, 25-vjeçari Orges Abazaj, 27-vjeçari Klodian Gjuzi, 25-vjeçari Julian Mandija si dhe Endri Peza.

“Ndaj të rinjve shqiptarë dhe një italiani u lëshua dhe urdhër-arresti nga prokurori Gennaro Varone. Endri Peza, sipas mediave italiane banonte në Pescara, ndërsa aty punonte si kamerier, i cili akuzohej për ndihmë dhe mbështetje logjistike grupin e trafikantëve. Gjatë operacionit policor u bë e mundur sekuestrimi i 15 kg heroine, 15 mijë euro, 5 telefona celularë, tre automjete, njëra prej të cilave u dogj gjatë aksionit.”, citohet në mediat italiane.

Sakaq, nuk dihet nëse bëhet fjalë për të njëjtin person, ndonëse emrat janë të ngjashëm.
(ed.me/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: