Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një takim virtual me shqiptarët në diasporë, vlerësoi punën e tyre të shkëlqyer për regjistrimin e shqiptarëve dhe organizimin e takimeve, duke i inkurajuar ata të vazhdojnë përpjekjet edhe pas mbylljes së regjistrimeve.
Ai u bëri thirrje të gjithëve që të punojnë me ata që janë regjistruar, pavarësisht se kush i ka regjistruar dhe cilat mund të jenë bindjet e tyre, për të siguruar që ata të votojnë për PD-në.
Berisha ndau me të pranishmit disa shembuj nga takimet e tij, ku shumë socialistë dhe qytetarë të tjerë po i bashkohen fushatës për të votuar kundër qeverisë aktuale. Ai theksoi rëndësinë e organizimit në orët e mbetura deri në zgjedhje, duke kërkuar që të shumëfishohen të regjistruarit, veçanërisht në zonat më të largëta, dhe që ata të mobilizohen për të votuar më 11 maj. Kryetari i PD-së gjithashtu u bëri thirrje atyre që nuk janë regjistruar të udhëtojnë për të votuar, duke e konsideruar këtë një detyrë historike për të kontribuar në ndryshimin e vendit.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Së pari, iu përgëzoj shumë për punën e shkëlqyer që keni bërë në një mori takimesh dhe në zgjerimin e aktiviteteve, krijimin e seksioneve të reja, të cilat unë i kam ndjekur me shumë kënaqësi dhe meritoni përgëzime.
Takimet që keni organizuar për këto regjistrime dhe zgjedhjet janë një kontribut i madh që ju jepni për këto zgjedhje.
Ju siguroj se etapa që vjen pas regjistrimit është jo më pak e rëndësishme.
Dy momente duhet të keni parasysh pas mbylljes së regjistrimeve.
Të punoni me çdo shqiptar që njihni dhe që është regjistruar, në mënyrë që ai të votojë për PD-në, pavarësisht se kush e ka regjistruar, por edhe pavarësisht se çfarë bindjesh mund të ketë pasur.
Unë çdo ditë pres socialistë ëq vijnë nga zonë të ndryshme, edhe biznesmenë ka prej tyre, dhe më thonë se kemi ardhur për të garantuar se do votojmë kundër kësaj qeveria.
Edhe dje kam pritur një qytetar nga rrethinat e Tiranës. Erdhi e më tha, të lutem më llogarisni, se jo vetëm do votoj, por do punoj me të tjerë për t’i bindur.
Pra, kjo do jetë një detyrë shumë e rëndësishme.
Dhe tjetra, cilido që nuk është regjistruar, por që e lejon mundësia ekonomike të udhëtojë dhe të vijë ditën e zgjedhjeve për ët votuar, edhe kjo do ishte jashtëzakonisht e dobishme.
Aq më tepër kur e thatë vetë që ka prej atyre që kanë problematikat e tyre për t’u regjistruar me dokumentet.
Në rast se e kanë emrin në lista, të vijnë në Shqipëri të votojnë.
Athina, ju organizuat një nga mitingjet më madhështore, më frymëzuese.
Dhe, ju falënderoj shumë për atë organizim të shkëlqyer.
Ju ftoj që këto orë që kanë mbetur, këto 72 orë, të bëjmë gjithçka për shumëfishimin e të regjistruarve, veçanërisht në zonat më të largëta, të cilët e kanë të vështirë ardhjen në ditën e zgjedhjeve.
Të bëni gjithçka për të fituar besimin e atyre që janë regjistruar, që të votojnë për PD-në.
Të bëni çdo gjë për të bindur dhe nxitur ata që nuk janë regjistruar, që janë në distanca të mundshme për të ardhur për të votuar, që më datën 11 maj, të mos i mungojnë Shqipërisë, por të vijnë në këtë apel historik për të ndihmuar atë.
