Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi se kryeministri Edi Rama kishte planifikuar një sulm ndaj selisë blu, duke përdorur agjentë të policisë kriminale dhe ekstremistë të majtë. Në një deklaratë për drejtuesit e strukturave të PD-së, Berisha tha se plani kishte dështuar dy herë, ndërsa akuzoi më pas kryeministrin se kishte urdhëruar hyrjen e forcave të policisë në selinë e partisë.
“Edi Rama donte të sillte këtu për të sulmuar selinë agjentë të policisë kriminale të shndërruar në një amalgamë me ekstremistët e majtë. Dështoi! Tentoi dy herë dhe dështoi”, deklaroi Berisha.
Ai pretendoi se përmes këtyre veprimeve, Rama synonte të paraqiste protestat në Tiranë si akte anarkiste, duke i lidhur me atë që po ndodh në Paris. Berisha hodhi poshtë çdo lidhje mes dy situatave dhe u bëri thirrje demokratëve të mobilizohen në mbështetje të protestës dhe studentëve.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Nuk ka asnjë lidhje ajo që po ndodh në Paris me këtë që po ndodh në Tiranë! Ramës i dështoi plani i tij me sulmin mbi selinë e Partisë Demokratike
Kjo ditë e sotme na ngarkon me përgjegjësi edhe më të mëdha. Ndaj dhe të nderuar kryetarë degësh, të deleguar në degë, koordinatorë, duhet të bëjmë gjithçka në dy parimet që kemi shpallur.
Parimi i parë, ne mbështesim me të gjithë potencialin tonë protestën.
Parimi i dytë, ne mbrojmë me të gjithë potencialin tonë studentët dhe të rinjtë.
Mbështetja e protestës kërkon angazhimin e të gjitha burimeve njerëzore të mundshme për t’i nxjerrë në protestë.
Ne kemi përgatitur një fletëpalosje, do të krijohen grupet e punës dhe do të shpërndahet në çdo derë, në çdo familje, në çdo lagje.
Do të bëjmë gjithçka për mobilizimin maksimal të qytetarëve, të të rinjve, të prindërve në mbështetje të gjimnazistëve, të rinjve dhe qytetarëve në protestë.
Është rruga e vetme për ta përcjellë sa më shpejt këtë monstër, se ky nuk është njeri, është një monstër njerëzore, nga ajo kryeministri.
Çdo ditë që kalon, Shqipëria paguan koston më të lartë prej tij.
Çdo ditë që kalon është një ditë më e rëndë për shqiptarët.
Ndaj dhe ne do bëjmë gjithçka për pjesëmarrjen më maksimale të qytetarëve në këtë protestë.
E them edhe njëherë, ne jemi në protestë, nuk mohojmë asgjë.
Asgjë në botë nuk na ndan ne nga protesta.
Dështuan.
E patë ju, Edi Rama donte të sillte këtu për të sulmuar selinë agjentë të policisë kriminale të shndërruar në një amalgamë me ekstremistët e majtë. Dështoi!
Tentoi dy herë dhe dështoi.
Dhe në fund në shkelje flagrante të Kushtetutës dhunoi selinë duke futur narkobanditë me uniformë.
Vetëm e vetëm, edhe njëherë, vetëm e vetëm që të justifikojë, të argumentojë tezën e tij të rreme se kjo është një ANTIFA, se këta nuk e kanë hallin tek korrupsioni i tij, tek vjedhjet e tij, tek droga, tek zgjedhjet, tek farsa elektorale, por këta janë anarkistët e shkatërrimit.
Kjo është e gjithë përpjekja e tij për t’i thënë komunitetit ndërkombëtar se ajo që po ndodh në Paris erdhi edhe në Tiranë.
Asnjë lidhje, fare asnjë lidhje.
