Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër për rrethimin dhe ndërprerjen e sinjalit të televizionit News24 nga ana e policisë, duke e cilësuar këtë veprim si një “akt prej xhelati ndaj fjalës së lirë”.
Sipas Berishës, ndërprerja e sinjalit të News24 më 11 gusht 2025 përfaqëson një akt hakmarrjeje primitive ndaj një prej burimeve kryesore të informacionit të pavarur në Shqipëri.
Berisha thekson se Rama po përpiqet të mbrohet nga lajmet e paanshme, debatet e hapura dhe investigimet e guximshme të gazetarëve të News24 për lidhjet e tij dhe ministrave me krimin, drogën dhe aferat korruptive. Ai kujton se pas mbylljes së Agon Channel dhe konfiskimit të Ora News, ky është televizioni i tretë që Rama tenton të zhdukë, pasi nuk ka mundur ta blejë apo kontrollojë.
Partia Demokratike shpreh solidaritet të plotë me gazetarët dhe punonjësit e News24 dhe dënon ashpër këtë “akt hakmarrës primitiv prej xhelati të fjalës së lirë”. Ajo kërkon largimin e menjëhershëm të forcave policore nga godina e televizionit dhe rikthimin e sinjalit.
Gjithashtu, PD i bën thirrje organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare të mbrojtjes së lirisë së shprehjes të dënojnë këtë veprim dhe të kërkojnë rikthimin urgjent të sinjalit të News24, duke e cilësuar Edi Ramën si “kreun e narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë”.
(BalkanWeb)
