Nga VALENTINA MADANI*
Ish-kryeministri Sali Berisha paralajmëroi dje kandidimin e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri për postin e kreut të Bashkisë së Vlorës. Sipas tij, kjo është arsyeja që kryeministri Edi Rama po “persekuton” kryebashkiakun aktual, Shpëtim Gjika. Përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, ai shkruan se “Vlora gumëzhin e tëra se Koçoja dhe Tahiri ishin, pas Ramës, ata që u gëzuan më shumë arrestimin e Gjikës. Koçoja kishte të drejtë për gëzimin që ndjeu me arrestimin e Gjikës, sepse ky i fundit, si çakmak, i pagdhendur siç është, e ka goditur në prani të Ramës dhe të tjerëve dhe e nxjerre për leckash jashtë nga salla Koçon në një takim të organizuar në Vlorë pas zgjedhjeve. Tahiri ka vendosur të kandidojë për Vlorën dhe është i bindur se me Gjikën në burg ka më shumë shanse për të marrë me Policinë e Partisë, bashkinë. Lufta me armik Gjikën vazhdon. Baftjari (Zeqo), ndonëse po i dridhen leqet e këmbëve, ishte i pari që uroi Gjikën për lirimin nga burgu”, – shkruan ish-kryeministri.
SHPËRTHIMET
Në një tjetër status në “Facebook”, Berisha ka komentuar edhe shpërthimin e tritoleve mëngjesin e djeshëm në Tiranë, ku shënjestër në dy prej tyre ishte babai i ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Berisha shprehet se këto akte terroriste janë sipas tij dëshmi se vendi dhe territori është nën kontrollin e krimit. “Tirana u gdhi përsëri e tronditur nga tri shpërthime tritoli. Kësaj here jo nga Kostandini i Partisë, por nga goditje që me sa duket, mafia e ilaçeve i bëri Bashkimit të ilaçeve të Partisë. Sot (dje) herët në mëngjes, objekt i tritoleve të radhës ishin farmacia e të atit të Sajmir Tahirit, që në më pak se një vit, me ndihmën e të birit u bë ‘big’ në fushën e ilaçeve, objekt tjetër ishte banesa private e një ish-komisari policie, ndërsa tritolin e tretë e eksplodoi vetë policia në një stacion autobusi. Mëngjesi i tritoleve dëshmon edhe një herë se në Shqipëri territorin e kontrollon krimi i organizuar, i cili me lehtësi godet kudo, këdo dhe në çdo skaj të këtij vendi. Imagjinoni ju sa mund t’ju mbrojë ju sot Edi Rama dhe sejmeni i tij Tahiri. Vetëm dy ditët e fundit janë ditë të marrjeve peng, të tritoleve, pa llogaritur këtu mbi 20 vetura të vjedhura dhe mbi 48 banesa të thyera. I bëj thirrje prokurorisë të hetojë me seriozitetin më të madh këto krime dhe të vendosë autorët, sponsorët e tyre para ligjit!”, – shkruan Berisha në “Facebook”.
SKENARËT
Po dje, në një tjetër status, ish-kryeministri foli për një bastisje sipas tij që policia ka realizuar dje në restorantin “Tajvan” në kryeqytet duke e lidhur këtë fakt me çështjen e shpërthimeve të ndodhura në mëngjes në Tiranë. “Sot (dje) nga dreka, forca të shumta policie rrethuan dhe bastisën lokalin e Besnikut të Partisë, restorantin ‘Tajvan’. Mediat që e njoftuan me korrektesë lajmin dhe që u detyruan ta heqin atë si dhe mediat e tjera, informojnë se rrethimi dhe kontrolli policor nuk kishte të bënte me vjedhje energjie as dhe me evazion fiskal, se për këto probleme Besniku i Partisë ka imunitet të plotë. Mediat japin tre mundësi të kësaj ngjarjeje të cilën ata që e njoftuan u detyruan ta heqin nga faqja sapo e botuan. Mundësia e parë për këtë operacion policor është se Besniku i Partisë është gjobitur rënde deri në kërbisht nga Emil Tahiri apo Shullazi i Partisë. Mundësia e dytë është ndonjë informacion për vendosësit e tre tritoleve në mëngjesin e sotëm (djeshëm)? Nuk përjashtohet mundësia që kontrollin e ka urdhëruar Prokuroria e Krimeve të Rënda për solvent dhe pluhura për të cilat ajo heton. Por jashtë çdo spekullimi cilido që të jetë shkaku, fshehja e tij, heqja e njoftimit me urdhër dhe pa sqarim nga mediat qeveritare, është më e rëndë se të tri motivet e marra sëbashku”, – shkruan Berisha në “Facebook”.
(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)
