Nga VALENTINA MADANI*

Ish-kryeministri Sali Berisha hodhi dje akuza të forta ndaj ish-presidentit Bamir Topi dhe ish-kryeprokurores Ina Rama për lirimin e Emiljano Shullazit. Berisha mohoi që Shullazi të ketë qenë mbështetës i Partisë Demokratike, teksa përmendi se gjatë kohës që qeverisjes së djathtë, ai u arrestua 4 herë, por u lirua nga Topi dhe Ina Rama pas ndërhyrjeve sipas tij të Edi Ramës. Ndaj, përmes një statusi në “Facebook”, Berisha shprehet se “për të barazuar pushtetarët e sotëm me pushtetarët e djeshëm, lehtësuar përgjegjësinë e tyre për skandalin e padëgjuar kurrë më parë, të de fakto nekrofilisë në urgjencën me të mbikëqyrur të vendit, ai duke mashtruar shqiptarët përsëriti para kameras gënjeshtrën bajate të Edi Ramës, sipas të cilës Emiliano Shullazi paska qënë dikur mbështetës i PD-së. Kjo është një gënjeshtër e bazuar në mashtrim”, – shkruan Berisha.

E vërteta sipas tij është se: “që nga viti 2002 e gjer sot banda, asokohe Dajti-Shullazi dhe pas arrestimit të Dajtit, banda Shullazi, nuk ka pasur kurrë lidhje me PD-në. Ai, pas ardhjes në pushtet të PD-së është arrestuar katër herë, është dënuar vite burg, i janë falur vite burgu nga Bamir Topi, me ndërhyrjen e Edi Ramës, është liruar disa herë pas arrestimeve nga Edi dhe Ina Rama”, – akuzon Berisha. Përkundrejt kësaj, ish-kryeministri bën me dije se Shullazi sipas tij ka ndihmuar në fushatën elektorale të ministrit të Brendshëm të Saimir Tahirit ndërsa njerëzit e tij ishin eskorta e Edi Ramës. “Në vitet në pushtet të PD, Shullazi nuk i ka ndihmuar kurrë kandidatët të PD-së. Përkundrazi, ka luftuar me të gjithë bandën e tij në zgjedhjet e vitit 2011 për kandidatët e PS-së në Farkë dhe komunën e rrethinave të Shkodrës. Në zgjedhjet e vitit 2013 Shullazi vetë ishte njeriu kryesor i fushatës së Saimir Tahirit, kurse njerëzit e tij ishin eskortë kryesore e Edi Ramës nëpër Shqipëri. Është e vërtetë se në prill të vitit 2011 ai është konfliktuar në një zonë të Tiranës me dy deputetë të PS-së për shkak të zërit të lartë të altoparlantit në zyrën elektorale të PS-së të hapur ngjitur me shtëpinë e tij. Për këtë, mbi bazën e ankesës të deputetëve të PS-së, ai është arrestuar dhe mbajtur në burg për 20 ditë”, – shkruan Berisha.

SKANDALI NË QSUT
Në statusin e tij në “Facebook”, ish-kryeministri ka dënuar gjithashtu abuzimin seksual me një paciente në QSUT, e regjistruar në video nga disa të rinj, autorë të abuzimit duke i bërë apel Prokurorisë që të vendosë para ligjit përgjegjësit. “Me përçmim dhe indinjatë aktin pothuaj apo de fakto të nekrofilisë në urgjencën kryesore të vendit. I bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të vendosë me rreptësi dhe vendosmëri para ligjit përgjegjësit direktë dhe indirekt, të gjithë ata që me veprimet apo mosveprimet e tyre favorizuan, kryen aktin horror të padëgjuar kurrë më parë në historinë e shtetit tonë”, – shkruan Berisha.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: