Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një bashkëbisedim me përfaqësues të shoqatave të turizmit, ku ka theksuar rëndësinë strategjike që ky sektor ka për zhvillimin ekonomik dhe kulturor të vendit.
Gjatë diskutimit, Berisha e cilësoi turizmin si një ndër potencialet më të mëdha të Shqipërisë, duke sjellë në vëmendje rritjen e ndjeshme të numrit të vizitorëve ndër vite.
Ai theksoi se për të shfrytëzuar plotësisht këtë potencial, është e domosdoshme të luftohet informaliteti në sektor, duke e cilësuar formalizimin si një kusht themelor për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit dhe për garantimin e konkurrencës së ndershme mes sipërmarrësve.
“PD konsideron turizmin si një nga potencialet ekonomike kulturore më të mëdha të vendit. Shqipëria disponon një potencial madhështon në kuptimin absolut të fjalës turistik.
Ky sektor ka njohur zhvillime të pamohueshme, Në 2005 kemi prnauar 320 mijë turistë e vizitorë, në 2013 kjo shifër ishte 4.700.000. Sot kjo shifër është 10 mln, por nuk janë ndarë vizitorët nga turistët, që kanë një dallim esencial.
Turizmi ka një problem madhor në vendin tonë, që është informaliteti në të cilin ky sektor noton, informalitet që godet sipërmarrësit e ndershëm, ata që kanë bërë investime transparente.
Formalizimi i turizmit është ndoshta një nga kushtet më themelore.
Ne nu kemi ndërmend të ndalojnë AirBNB por formalizimi duhet për të shfrytëzuar potencialin që kemi. Formalizimi është edhe një element sigurie. Do të bëjmë çdo gjë për ta arritur këtë sepse ndryshe nuk mund të ecet”, tha ai.
