Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur një fjalim entuziast gjatë një takimi me strukturat e PD-së në Durrës, ku ka theksuar angazhimin dhe entuziazmin e diasporës shqiptare për të mbështetur opozitën. Berisha vlerësoi punën dhe përkushtimin e diasporës shqiptare për të shprehur vullnetin e tyre në zgjedhjet e 11 majit, duke e cilësuar këtë angazhim si një shenjë të madhe optimizmi dhe entuziazmi, të ngjashëm me ato që janë parë në vitet 1990-1991.

Në fjalën e tij, Berisha shprehu shqetësimin se Shqipëria është bërë një vend i braktisur, për shkak të politikave të qeverisë aktuale, të cilat ai i cilësoi si “narkoshtet” dhe “narkodiktaturë”. Sipas tij, diaspora shqiptare e ka kuptuar më mirë se kushdo tjetër çfarë do të thotë të persekutosh dhe të burgosësh opozitarët, duke shtuar se kjo ka shkaktuar një ndjenjë urrejtjeje ndaj regjimit, por gjithashtu ka nxitur një optimizëm të madh për ndryshimin dhe rrëzimin e qeverisjes.

Berisha gjithashtu theksoi se ky entuziazëm i diasporës është një avantazh i madh për Partinë Demokratike, duke e bërë të qartë se shqiptarët jashtë vendit mbështesin opozitën dhe e shohin atë si forcën kryesore për shpëtimin e Shqipërisë.

Fjala e Berishës në strukturat e PD-së në Durrës:

Mirëmbrëma, dhe një përshëndetje të përzemërt!

Së pari, dua t’ju përshëndes ju përzemërsisht, të shpreh vlerësimin tim shumë të madh për punën dhe përkushtimin që treguat për angazhimin e diasporës shqiptare, për herë të parë, në historinë e këtij vendi për të shprehur vullnetin e tyre në zgjedhjet e 11 majit.

Puna e bërë nga ju, drejtuesit e degës, kandidatët, që nderuan garën krijuan një epërsi të madhe morale dhe numerike në mbështetjen e PD kudo në Itali, Gjermani, SHBA, Britani dhe kudo. Mendoj se, me fitoren tonë në diasporë, në kuptimin e një angazhimi, një entuziazmi, një optimizmi të pa parë, ju garantoj që unë kam përjetuar takime të tilla, veçse në vitet 1990-1991. Një entuziazëm i papërmbajtur, i papërshkruar i qytetarëve shqiptarë jashtë vendi.

Dhe e kam pyetur veten shumë herë, pse kjo, çfarë ndodh me ta?

Dhe përgjigja është vetëm një: sepse ata jetojnë në vende të lira dhe ata e kuptojnë më mirë se të gjithë të tjerët se çfarë do të thotë të persekutosh, të arrestosh për motive politike, drejtuesit e partive politike opozitare. Se çfarë do të thotë të marrësh mandate të fituara me votë të opozitës.

Se çfarë do të thotë të burgosësh deputetë të rinj të opozitës, vetëm e vetëm se guxojnë t’u thonë qytetarëve shqiptarë të vërtetën.

Ata, më shumë se të gjithë të tjerët e ndiejnë se Shqipëria nuk është një vend për t’u braktisur, por të tillë e bëri qeveria e sotme me narkoshtetin dhe narkodiktaturën.

Pra, në këto takime kam konstatuar, atë, të themi edhe urrejtje ndaj regjimit, por edhe optimizëm dhe entuziazëm për rrëzimin e tij. Dhe këtu, keni merita të mëdha, të gjithë ju që punuat, të gjithë ju që u angazhuat në dialog, në bashkëbisedim dhe i ftuat ata të kontribuojnë kësaj here për shpëtimin e Shqipërisë.

Kjo, përbën një avantazh të madh për PD. Ky entuzizëm dhe ky optimizë ka ngrohur shumë zemrat e shqiptarëve. Tashmë, është bërë e qartë përfundimisht se shqiptarët jashtë vendit mbështesin PD, mbështesin opozitën si forcën dhe forcat e vetme politike për shpëtimin e Shqipërisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: