Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ka bërë thirrje institucioneve europiane, përfshirë OLAF-in, Komisionin Europian dhe EuroJust, që të hetojnë atë që e cilëson si “aferën Rama–Mogherini” me kampusin universitar në Tiranë.

Duke folur gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët, Berisha deklaroi se kjo aferë, sipas tij, është disa herë më e madhe se skandali i njohur i Bryzhit dhe kërkoi transparencë të plotë mbi marrëveshjen për tokën, për të cilën tha se është grabitur në mënyrë korruptive në dëm të studentëve dhe taksapaguesve shqiptarë dhe europianë.

Ejona Rusa: Kampusi i Universitetit të Tiranës do të kalojë në Durrës, sipas Ramës. Kjo po ndodh në një kohë kur kolegji i Mogherinit ka marrë tokën e Universitetit Publik të Tiranës dhe kur kampusi i premtuar prej vitesh këtu në Tiranë, nuk po ngrihet. Cili është qëndrimi juaj?

Sali Berisha: Qëndrimi ynë është ky. Ne i bëjmë thirrje Komisionit Europian, prokurorisë publike Europiane, OLAFI-t dhe EuroJust të hetojnë aferën “Mogherini” në Shqipëri, e cila sipas të dhënave tona paraprake është të paktën 7-8 herë më e madhe se ajo e Bryzhit.
Frederica Mogherini lobistja e Edi Ramës, ka një marrëveshje sekrete me Ramën për kampusin e Kolegjit Europian, të cilën Edi Rama e mban sekret dhe nuk ja dha ndonjëherë parlamentit me të cilën këta grabisnin tokën e kampusit për studentët e Universitetit të Tiranës. Tokë e kadastruar dhe përcaktuar përfundimisht kampusin e studentëve. Për të cilin është bërë dhe projekti. Për të cilin ishin përcaktuar dhe fondet dhe në një marrëveshje korruptive të plotë, këtë tokë Edi Rama e grabit së bashku me Mogherinin dhe nuk dihet se çfarë fature kanë taksapaguesit shqiptarë dhe çfarë fature kanë taksëpaguesit europianë.
Prandaj e garantoj Edi Ramën se, pa një hetim të plotë nga institucionet kompetente të akuzës së BE-së, asnjë lloj veprimi nuk do pranohet në këtë vend, dhe se historia e turpshme e korrupsioni Rama-Mogherini duhet të sqarohet në gjykatë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb