Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje për intensifikimin e aksionit opozitar, duke e cilësuar protestën si rrugën e vetme për t’u përballur me qeverinë.

Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, Berisha deklaroi se data 10 shkurt do të jetë një moment i rëndësishëm i asaj që ai e quajti “kryengritje paqësore” kundër regjimit.

Sipas Berishës, zemërimi qytetar është i prekshëm në takimet që përfaqësuesit e opozitës po zhvillojnë në terren dhe ky reagim, tha ai, do të shprehet në rrugët dhe sheshet e Tiranës. “Kjo javë duhet të jetë një përkushtim i plotë dhe total në takimet me qytetarë, në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë”, u shpreh kreu i PD-së.

Ai theksoi rëndësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët përmes bisedave, sqarimeve dhe debateve, duke akuzuar qeverinë për përdorim të propagandës. Berisha e cilësoi këtë propagandë si “toksike”, ndërsa mediat që, sipas tij, mbështesin qeverinë i akuzoi për glorifikim të skajshëm.

“Duhet t’i kundërvihemi propagandës në takime me qytetarët dhe të denoncojmë propagandën e turpshme të mediave që paguhen nga qeveria”, tha Berisha, duke kërkuar mobilizim maksimal të strukturave të PD-së në ditët në vijim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb