Ish-kandidatja për postin e Avokatit të Popullit, Adriana Kalaja, ka reaguar pas betimit të Endri Shabanit në Parlament në këtë funksion, duke deklaruar se procesi i përzgjedhjes ka qenë i paligjshëm dhe se do ta ndjekë çështjen në rrugë penale dhe kushtetuese.

E ftuar në News24, Kalaja u shpreh se, pavarësisht moszgjedhjes së saj, ajo e ka ushtruar dhe do ta ushtrojë “de-facto” misionin e mbrojtjes së qytetarëve. Sipas saj, tashmë është e provuar se “Shqipërinë e drejton një organizatë kriminale”, ndërsa paralajmëroi se në vijim do të ketë zhvillime të reja lidhur me këtë çështje.

Kalaja theksoi se qëndrimi i saj në garë ka qenë i qartë dhe se, sipas saj, Partia Demokratike ka zbatuar ligjin, ndërsa Partia Socialiste e ka shkelur atë duke futur në seancë parlamentare kandidatura që nuk ishin të mbështetura me firmat e nevojshme. “Është faji i Partisë Socialiste që nuk jam në atë pozicion”, deklaroi ajo.

Në këtë kuadër, Kalaja bëri të ditur se po përgatit një kallëzim penal në SPAK ndaj ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja, si dhe ndaj drejtuesve socialistë Niko Peleshi dhe Taulant Balla, për veprat penale që, sipas saj, janë konsumuar gjatë procesit. Paralelisht, ajo paralajmëroi se do ta çojë çështjen edhe në Gjykatën Kushtetuese për ta shpallur jokushtetuese vendimmarrjen e Kuvendit. “Nëse GJK dhe SPAK binden nga dokumentacioni që do dorëzoj, besoj se vendimi i Kuvendit do të shpallet i pavlefshëm”, u shpreh Kalaja.

E pyetur për marrëdhënien e saj me Partinë Demokratike, Kalaja sqaroi se ka dhënë dorëheqje “serioze” nga PD, por ka vijuar të luftojë brenda strukturave për respektimin e statutit. Ajo u shpreh e hapur për një rikthim, por jo pa kushte. Sipas saj, PD duhet së pari të reflektojë mbi zbatimin e statutit dhe të rikthehet te premtimet e “foltores së parë”.

“Nuk kemi nevojë për foltore të dyta apo të tjera, por për mbajtjen e premtimeve. Nuk mund të jemi seriozë në mbrojtjen e Kushtetutës së vendit, nëse nuk mbrojmë statutin e partisë, që është kushtetuta jonë”, theksoi ajo.

Kalaja nënvizoi gjithashtu se angazhimi i saj politik dhe publik ka pasur kosto personale dhe familjare, duke shtuar se fëmijët e saj kanë dhënë dorëheqjen nga puna pasi nuk mund të vijonin të punonin në institucione që ajo i kishte denoncuar publikisht.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb