Në një deklaratë të bërë gjatë një takimi me qytetarët në Mat, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar ashpër zyrtarin lokal Agron Malaj, duke e cilësuar si një nga “hajdutët më të mëdhenj të qeverisjes vendore” në Shqipëri.

Berisha shtoi se edhe vëllai i Malajt, Fatosi, është i përfshirë në afera korruptive, konkretisht në abuzime me fondet e Ujësjellësit të Tiranës dhe tenderat publikë, në bashkëpunim me kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ai denoncoi gjithashtu zhdukjen e 130 milionë eurove nga projekti i inceneratorit të Tiranës, duke akuzuar qeverinë dhe drejtuesit lokalë për shpërdorim masiv të taksave të qytetarëve.

Kreu i PD Sali Berisha në Mat: Në Shqipëri vetëm vidhet. Janë 130 mln euro të djegësit të Tiranës, që nuk ka tullë të vendosur, të taksave tuaja, janë zhdukur. 5D është dhe në Mat. Këta marrin tenderat e vet me familjarë. Agron Malaj është ndër hajdutët më të mëdhenj të qeverisë vendore në Shqipëri. Ky ka një vëlla që quhet Fatos. Fatosi është një hajdut i pamëshirë i parave të ujësjellësit në Tiranë. Nuk i dalin Agronit ato që ju vjedh ju. Me Fatosin e Veliajn, kanë vjedhur miliona euro të qytetarëve të Tiranës. Këta ndajnë paratë me njëri-tjetrin. Këta ndjekin modelin Rama.

Pjesë nga fjala e kreut demokrat Sali Berisha: 

Po ndërtojmë rrugë, thotë.
Aty janë vjedhjet më të tmerrshme.
Do u jap një shifër. Rruga e Kombit është rruga të cilën vetë Behteli e ka shpallur një nga projektet më të vështira që ka realizuar në botë.
27 metra e gjerë, ka kushtuar 10 milionë euro kilometri me gjithë tunelet e gjata të Kalimashit.
Rruga e Arbrit, 27 kilometrat e mbetura, 10 metra të gjera, kanë kushtuar 11 milionë euro kilometri.
Prisni.
Po i lëmë zonat malore. Po zbresim në fushë. Rruga Lushnje-Fier me 4 korsi ka kushtuar 1 milion euro kilometri e ndërtuar me kompani italiane.
Në vitin 2012 kemi përfunduar rrugën Levan-Vlorë. Ajo është rruga më e gjerë në Shqipëri, 35 metra e gjera. Ajo kushtoi gjithsej 2.4 milionë euro.
2.4 milionë euro kur në një kohë kur rruga te Ura e Limuthit kushton 20 milionë euro. Unaza 17 milionë euro.
Pra, o miq, çfarëdo që jeni, të cilës parti që i përkisni, shikoni se si vidheni në mënyrë të pamëshirë nga këta hajdutë.
Ato para mund të ishin pensione sot dhe ju duhet të kishit një pension 450 euro sot.
Nuk është vetëm kaq, janë 130 milionë euro të djegësit të Tiranës, që nuk ka një tullë të vendosur. Paratë tuaja të zhdukura. 130 milionë euro janë 812 mijë pensione. Të zhdukura.
Miq, nuk është pra një problem partie. Është një problem qytetari, është një problem kombëtar.
Çfarëdo bindje të kesh, nuk mund të pajtohesh kurrë me kriminelë të tillë.
Po 5D-ja, këtu në Mat është, kudo.
Çfarë bënë këta? Në vend se biznesmenët të aplikojnë, të fitojnë tendera, i bllokuan, i marrin vetë me familjarët.
Ky Agron Malaj këtu, ky është një nga hajdutët më të mëdhenj të qeverisjes vendore në Shqipëri.
Ky ka një vëlla që quhet Fatos. A e dini ju se Fatosi është një hajdut i pamëshirë i tenderave në Tiranë?
Pra, Agroni nuk ngopet me ato që vjedh ju matjanëve. Nuk i dalin. Po me Fatosin dhe Erion Veliajn kanë vjedhur dhjetëra miliona euro qytetarëve të Tiranës për punë, ujësjellësa, etj.
Këta ndajnë paratë njëri me tjetrin.
Këta ndjekin modelin Rama.
Sepse Edi Rama është sot i vetmi kryeministër në Europë që ka oborrin 8300 metër katrorë tokë, të tërën të plaçkitur, të grabitur.
Që ka sarajet, dy herë më të gjata se sarajet e Enver Hoxhës, i cili ishte një gjakësor, por sarajet nuk i regjistroi në emër të vet, as të fëmijëve. I regjistroi pronë të shtetit. Kurse këto saraje janë pronë e Edit.

(Balkanweb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb