TIRANE– Ish-kryeministri, Sali Berisha publikoi dje të tjera fakte komprometuese rreth përfshirjes sipas tij të Agron Xhafajt, vëllait të deputetit socialist Fatmir Xhafaj, në trafikun ndërkombëtar të drogës. Në një postim në “Facebook”, Berisha thotë se “Edi Rama ka fshehur kërkesën e INTERPOL Venezuela për arrestimin dhe ekstradimin e Agron Xhafës, vëllait të Fatmir Xhafës, si supertrafikant droge në Venezuelë! Aktualisht vëllezërit Xhafaj janë pronarë pallatesh dhe lojërash fati në Vlorë! Duket se për të fshehur këtë kërkesë, Xhafaj e ka peshuar Ramën në kandar”, – shkruan ish-kryeministri.
Berisha në denoncimin e tij të radhës i referohet “policit dixhital”, që e informon se “për byrazerin e Fatmir Xhafës ka një vendim gjykate për ekstradimin e Agron Xhafës në 2014-ën (jo ai nga Italia 2001, por nga Venezuela), të cilin autoritetet shqiptare duhet ta ekzekutojnë por bëjnë të kundërtën. Thuhet se Agron Xhafa e ka mbyllur hesapin e vet duke i dhënë kesh në dorë Edi Ramës fiks 1.3 milionë euro. Fshehjen e kërkesës së INTERPOL Venezuela nga qeveria e kanë raportuar edhe mediat e vendit”, – shkruan Berisha.
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
