Ish-kryeministri Sali Berisha, në fjalimin që iu drejton mbështetësve të tij, nga ballkoni i banesës ku ndodhet në arrest shtëpie, tha se vetëm protesta dhe mosbindja civile është rruga për realizimin e qëllimeve tona.

Berisha i konsideroi mbështetësit e tij si shembulli i qytetarit atdhetar dhe të pamposhtur.

“Çdo opozitar pret me padurim fitoren ndaj një regjimi të pamëshirë, antishqiptar që po e zhbën Shqipërinë nga shqiptarët.

Po shpopullon këtë vend sa asnjë pushtim tjetër në histori.

Por sot çdo shqiptar duhet ta ketë të qartë si drita e diellit se vetëm protesta e vazhdueshme, vetëm protesta e pamposhtur, vetëm mosbindja civile e vazhdueshme dhe e pamposhtur është rruga për realizimin e qëllimeve tona madhore.

Është rruga për përmbysjen e narkoqeverisë.

Është rruga për krijimin e qeverisë teknike.

Për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe fitoren e padiskutueshme të opozitës”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb