Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, bëri thirrje të dielën për paqe të “dinjitetshme” dhe për garanci se Rusia nuk do ta sulmojë më Ukrainën. Ai i bëri këto komente teksa po përgatitet të takohet në Berlin me të dërguar amerikanë dhe aleatë evropianë për t’i dhënë fund konfliktit më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Përballë trysnisë së presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për te nënshkruar një marrëveshje për paqe, e cila fillimisht mbështeste kërkesat e Moskës, Zelensky e akuzoi Rusinë se po e zvarrit luftën përmes bombardimeve vdekjeprurëse mbi qytete dhe infrastrukturë të energjisë elektrike dhe ujit në Ukrainë.

Edhe pse përbërja e saktë e takimeve të së dielës dhe së hënës nuk është bërë e ditur, një zyrtar amerikan tha se i dërguari i Trumpit, Steve Witkoff, dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, po udhëtonin drejt Gjermanisë për bisedime me ukrainas dhe evropianë. Vendimi për ta dërguar Witkoffin, i cili ka udhëhequr negociatat me Ukrainën dhe Rusinë mbi një propozim amerikan për paqe, u duk si shenjë se Uashingtoni e sheh një mundësi për përparim, gati katër vjet pasi Rusia nisi pushtimit e vendit fqinj ne vitin 2022.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, po pret Zelenskyn dhe liderë evropianë për një samit në kryeqytetin gjerman të hënën, më i fundit në një sërë mbështetjesh publike për liderin ukrainas nga aleatë në të gjithë Evropën.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb