TIRANE– I ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, ish ministri dhe analisti Besnik Mustafaj ka bërë një përmbledhje të politikës shqiptare përgjatë vitit 2017. Ai tha se ky vit ishte një vit regresi për politikën shqiptare, ndërsa renditi edhe disa arsye. Ndërkohë sa i përket marrëdhënieve mes kryeministrit dhe presidentit, Mustafaj tha se ajo është me tension të brendshëm.
“Marrëdhënia Rama-Meta është me tension të brendshëm. Të dy kanë pakënaqësi ndaj njëri-tjetrit dhe kjo nuk është e mirë për të mirën e vendit. Ky vit ka qenë një vit regresi për politikën shqiptare. U zbulua se politika qeverisëse ka qenë e lidhur me krimin dhe kultivimi i kanabisit është zhvilluar për interes të politikes.
Patëm zgjedhje të degraduara sa i përket manipulimit të rezultatit dhe një humbje të theksuar të PD. Patëm krijimin e një qeverie monopol. Qeverisja vetëm me dorën e Ramës është një kërcënim për demokracinë. Këto janë disa nga arsyet pse viti 2017 ishte vit regresi për politikën shqiptare”- tha Besnik Mustafaj.
Teksa u pyet lidhur me pritshmëritë e vitit 2018, ish-ministri tha se përveç krizës ekonomike, ajo që ka shpërthyer në sipërfaqe është kriza politike.
“Ne kemi të dhënat e sotme, apo të djeshmet të INSTAT që thotë se 3 mujorin e fundit ka rënie ekonomike në Shqipëri. Ne kemi një krizë politike totalisht të shpërthyer, të dalë në sipërfaqe, që rrezikon deri tek stabiliteti i Shqipërisë. Kemi një situatë që ka një keqkuptim nga Rama, për faktin se ka një shumicë të mjaftueshme për të qeverisur pa siklet. Në vend që ai të kultivojë një përulje ndaj shqiptarëve, atij i ka nxjerr në pah një arrogancë që shumëfishohet përmes arrogancës së ministrave të tij. Do kemi një opozitë të acaruar dhe të pagatshme. Do kemi një marrëdhënie shumë të acaruar dhe nervoze mes maxhorancës dhe opozitës”, tha ai.
(d.d/BalkanWeb)
