Pas një sezoni të jashtëzakonshëm në Formula 1, Kimi Antonelli ka arritur të shkruajë historinë duke u shpallur kampioni më i ri i botës në historinë e këtij sporti. Piloti italian, vetëm 20 vjeç, ndau emocionet e tij me mediat pas këtij suksesi historik, duke folur për rrugëtimin, sakrificat dhe ëndrrën e bërë realitet.
Si ia dole?
‘Duke qëndruar gjithnjë vetvetja. Vitin e kaluar i vuajta pak pritshmëritë dhe shpesh e fokusohesha te rezultati dhe jo te procesi i gjërave. Këtë vit ia dola t’i gëzohem gjithçkaje, që nga rezultatet në pistë tek koha e kaluar jashtë makine dhe besoj se kjo më ndihmoi shumë që të përballoja gjithçka po ndodhte’
Kur fillove të besoje se fitorja e Botërorit mund të ishte e mundur?
‘Duhet të them shumë shpejt. Kishim një makinë shumë të mirë dhe gjithnjë kam menduar se ky ishte një rast i madh për ne dhe donim ta shfrytëzonim deri në fund’.
Si ndihesh? Arrin ta kuptosh atë çfarë ke arritur?
‘Jam pa fjalë. Në xhiron e fundit hoqa dorë vërtet, nuk arrija të shihja pistën. Po qaja nga gëzimi dhe lotët më pengonin të kuptoja se ku isha. Ndoshta nuk arrij dot akoma të kuptoj, por jam mirënjohës për gjithçka. Për skuadrën time, për atë që kemi bërë dhe të kem këtu familjen dhe miqtë e mi. Do të shijoj këtë moment dhe fundin e sezonit. Kjo është një pikënisje për mua, për të ndërtuar e për të vijuar të fitoj’.
Festove me flamurin italian në shpatulla. Çfarë do të thotë të fitosh për Italinë?
‘Është fantastike. Duhet të falënderoj të gjithë tifozët në Itali që më kanë mbështetur. Ia dolëm mbanë! Do të vazhdoj të shtyj për të çuar të gjithë Italinë në majë’
Si është të mbahesh në krahë nga Hamilton dhe Verstappen pas garës?
‘Fantastike. Ndodhi edhe në Kanada këtë vit, por këtu ka një tjetër vlerë. Do ta stampoj këtë foto dhe do ta var në mur në shtëpi. Sepse të marrësh një respekt kaq të madh nga dy kampionë si at është diçka thjesht e pabesueshme për mua’.
Çfarë roli ka pasur skuadra jote këtë vit?
‘Thelbësore. Iu detyrohem për gjithçka atyre. U përpoqja t’ua ktheja çdo fundjavë atë që më dhanë duke besuar te unë prej kaq vitesh dhe u përpoqa të drejtoja sa më mirë një makinë të jashtëzakonshme si kjo dhe që na lejoi të ktheheshim te fitoret’.
Edhe babai yt ishte pranë teje për të gjithë sezonin. Çfarë rëndësie ka pasur?
‘Babai për mua është një shkëmb. Ishte ai që më transmetoi pasionin për këtë sport. Kur isha fëmijë shkoja me të në pistë, ndjeja atë botë dhe ëndërroja që një ditë ta përjetoja vetë. Me të jam rritur si pilot, por edhe si person dhe nëse jam këtu, është falë tij, nënës sime dhe pjesës tjetër të familjes. E di se çfarëdo që të ndodhë, mund të mbështetem tek ata. Edhe pse ai në fillim nuk donte që unë të bëhesha pilot’.
Pse?
‘Sepse vjen nga një ambient motoristik dhe pikërisht për këtë arsye ai e di sa mizore mund të jetë bota e motorsportit. Por, kur kuptoi sa i apasionuar isha, nuk pati dyshime dhe më mbështeti në çdo fazë të këtij rrugëtimi, nga garat kart deri në Formula 1’.
Këtu në Formula 1 ke shumë shembuj, mes të cilëve Leëis Hamilton që tha se është shumë krenar për ty. Çfarë raporti keni?
“Leëis për mua gjithnjë ka qenë një model. E njoh që kur hyra në Akademinë e Mercedes dhe ishte një burim frymëzimi për mua. Jo vetëm për atë çfarë ka arritur, por edhe për faktin se nuk u dorëzuar kurrë, as përballë vështirësive apo në vitet më të vështira të karrierës së tij. Ta dëgjoja të fliste kaq mirë për mua, është një nder’.
As Max Verstappen nuk e ka fshehur asnjëherë admirimin ndaj teje. Do te jesh gati ta sfidosh në 2027?
‘Absolutisht po. Unë dhe Max jemi miq, por mes nesh si pilotë e dimë mirë se kur vihet helmeta në kokë çdokush dëshiron të fitojë. Do të ishte bukur të sfidohesha me të për një Botëror dhe duke qenë se Red Bull në pjesën e dytë të sezonit u kthye të jetë shumë kompetitive do të jetë interesante të shohim se në çfarë niveli do të jemi në startin e sezonit të ardhshëm. Sfida me Verstappen do të ishte shumë e vështirë sepse e njoh vlerën dhe nivelin e tij, por mendoj se do të më ndihmonte të kuptoja nivelin tim dhe do të ishte bukur të shikoja edhe sesi do të evulojë raporti’.
A pret edhe një rikthim të George Russell në betejë?
‘Po, sigurisht. Gjithnjë e kam konsideruar George një pilot dhe kundërshtar shumë të fortë. Këtë vit pati ca probleme, sidomos në fillim të vitit. Por jam i sigurt se në 2027 do të kthehet në nivelet më të larta dhe unë do të duhet të kem kujdes’
A ka ndonjë fitore që e konsideron më speciale se të tjerat?
‘Është e vështirë ta thuash, sepse çdo sukses është magjik në mënyrën e tij dhe thuhet se më e bukura duhet të vijë ende. Por, me siguri, fitoret më të paharrueshme janë ato në Kinë, sepse ështe suksesi i parë në Formula 1 dhe më pas ajo e Monzas që nuk do ta harroj kurrë’.
Çfarë kujton më shumë nga ajo ditë?
‘Gjithçka. Duke nisur nga vendet e fundit në garën e shtëpisë sime doja të bëja mirë, por e dija edhe se nuk mund të rrezikoja shumë sepse objektivi ishte Botërori. Por pas pak xhirosh kur e pashë veten në zonën e pikëve me një ritëm shumë të mirë, kuptova se mund ta fitoja dhe nuk do të kënaqesha me një vend të dytë. Dhe të dëgjosh himnin në podium dhe të dish të fitosh për vendin mbetet krenaria më e madhe’.
Atë ditë Toto Wolff tha: ‘Kimi po më befason edhe mua’. Çfarë i keni thënë njëri-tjetrit gjatë vitit?
‘Raporti ynë nuk ka ndryshuar. Është i ashpër, ka qenë shpesh kur betejat me Russell në pistë kanë qenë intensive. Por është një udhëheqës shumë i mirë brenda skuadrës, më i miri nga i cili mund të marrësh shembull dhe unë i detyrohem shumë. Besoi te unë kur isha një djalosh akoma më i ri dhe vuri bast në atë që mund të bëja. Shpresoj t’ia kem kthyer pak atë që Mercedes më ka dhënë’.
Një skuadër, Mercedes, ku ke përcjellë shumë gjëra italiane.
‘Po(qesh). Në fillim ishin të gjithë të ftohtë, kurse unë jam dikush që përqafon, që e do kontaktin. Tani vijnë ata që më përqafojnë dhe është gjëja që më bën të ndihem akoma më shumë krenar. Po kështu, transmetova kulturën e shakave në bokse, sepsë që fëmijë kam dashur të bëj shaka; torta në fytyrë për ditëlindje, e gjëra të tjera të vogla. Le të themi jam bërë pak ‘mistreci i skuadrës’.
Tani, me suksesin, a do të ndryshojë diçka?
‘Jo! Pse duhet të ndryshojë diçka? Këtë vit ia dola të qëndroj vetvetja dhe ishte çelësi i gjithçka kam arritur. Dhe nuk do të ndryshojë. Sigurisht që u desh edhe të përshtatesha me një jetë ndryshe në disa aspekte, me më shumë vëmendje mediatike dhe më shumë impenjime, por është pjesë e lojës. Unë e di kush jam, kush dua të jem dhe çfarë më bën të ndihem mirë’. Fitoret në Formula 1 nuk ndryshojnë atë që unë e konsideroj të rëndësishme. Kjo është ajo që ka rëndësi për mua’.
Dhe tani, si do të festosh?
‘Do të kërkoj të shijoj momentin. Kemi një tjetër garë javën e ardhshme në Brazil, kështu që do të shijoj këtë javë dhe më pas kur të kthehem në shtëpo do të festoj siç duhet, edhe pse jo shumë sepse sezoni nuk është mbyllur ende dhe unë dua të vazhdoj të fitoj’.
