Partia Demokratike mbajtu ditën e djeshme protestën e radhës kombëtare, protestë që shënonte edhe 35 vjetorin e rrëzimit të shtatores së diktatorit Enver Hoxha.
E ftuar në “Kjo Javë” në News24, Tabaku u shpreh se protestat janë të domosdoshme për të treguar mllefin e qytetarëve, por se ka vënë theksin në faktin që pas 12 vitesh në opozitë, PD duhet të rishpikë veten dhe të ndryshojë.
“PD duhet të përpiqet të rishpikë veten, jemi në mandatin e 4 në opozitë dhe nuk është e thjeshtë, kanë ndryshuar shumë gjëra. Jam nga ato njerëz që e shoh problemin edhe tek vetja. Por protesta është një mënyrë për të reaguar që mllefi dhe kundërshtia është aty. Dje ishte një ditë simbolike, është një mesazh që sado është shtypja drita është aty. PD duhet të korrigjojë të ofrojë me të gjithë forcën një model alternativ qeverisëse sepse njerëzit këtë presin. Është shumë e thjeshtë sot të merresh me PD. Unë besova në meritokraci dhe nuk mu dha. Kam folur edhe me doktorin. Por a është rruga të dalim të gjuajmë me gurë dhe të kritikojmë? Rruga është të ndryshojmë. Të gjithë kolegët janë dakord që PD duhet të ndryshojë së brendshmi. Di të them që sot ka shumë punë për të bërë në strukturat e PD”, tha ajo.
