Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për mediat ka akuzuar ashpër kryeministrin Edi Rama, duke e cilësuar atë si përgjegjës për atë që ai e quajti “sistemit më kleptokratik që ka njohur Shqipëria”.

Berisha deklaroi se situata politike në vend është pasojë e veprimeve të kryeministrit, për të cilin tha se “i ka ardhur fundi”. Ai iu referua edhe ngjarjeve të 20 shkurtit 1991, duke theksuar se shqiptarët kanë treguar në të shkuarën se dinë të reagojnë përballë, sipas tij, padrejtësive dhe abuzimeve.

Sipas Berishës, opozita nuk po zhvillon betejë për çështjen e zv/kryeministres Belinda Balluku, por kundër vetë Ramës. “Beteja jonë nuk është për Lubi Ballukun, beteja jonë është kundër Edi Ramës”, u shpreh ai, duke e akuzuar kryeministrin si autor të një sistemi që e cilësoi si “narkoshtet”.

Berisha theksoi se protestat, sipas tij, nuk organizohen për një individ të caktuar, por për largimin e menjëhershëm të kryeministrit nga detyra, të cilin e quajti “uzurpator”.

“Kjo po ndodh nga një kryehajdut në rreth të kuq që ka qindra firma për grabitje, qoftë të taksave tuaja, qoftë të pasurive publike. Edi Ramës i ka ardhur fundi. Në 20 shkurt 1991 shqiptarët nën moton “ta shporrim qelbësirën”, kaluan mbi tanke e autoblinda e mitralozë dhe përmbysën shtatoren e diktatorit në kryengritje paqësore. Atij që i kishte shtypur shqiptarët në mënyrën më mizore. Rama i ka vjedhur shqiptarët sa kush tjetër në historinë e tyre, ai po u thotë shqiptarëve që të merret Belinda Balluku dhe Ramën nuk ka çfarë t’i ndodhë. Beteja e opozitës nuk është për Lubi Ballukun, beteja jonë është kundër Edi Ramës. Është autori famëzi i sistemit më kleptokratik që ka njohur Shqipërisë dhe i narkoshtetit. Shqiptarët nuk mbushin sheshet për Lubi Ballukun, por për Edi Ramën. Ata duan largimin e tij të menjëhershëm nga posti i kryeministrit si një uzurpator”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb