PSG-Arsenal është super sfida e luksit, finalja e madhe e Champions League, një “betejë” epike që premton spektakël, ku të parashikosh nuk është e lehtë pasi përballë janë dy ekipe fantastike, kampionët në fuqi të Champions dhe fituesit e freskët të Premier League, kampionatit më të fortë në botë. Luis Enrique, trajneri i PSG flet me respekt për rivalin e tij në finalen e Budapestit:
“Ata e merituan të fitonin Premier League, ishte një beteje e fortë me Man.City, por Arsenal tregoi se janë një skuadër e madhe. Është e vështirë të flasësh dhe të parashikosh një finale Champions League. Çdo finale është një histori tjetër, ka gjithnjë shumë tension dhe pritshmëri, por këto janë elementë të rëndësishëm. A e dini se sa e fortë është ambicia për të mbrojtur titullin? Ju siguroj që është më e madhe”, u shpreh Luis Enrique në konferencë për shtyp.
Më në fund, pas 6 sezonesh, Mikel Arteta arriti t’i dhuroi Arsenal titullin në Premier League, një titull që erdhi pas 22 vitesh pritje. Të çliruar nga ky makth, Arsenal shkon në këtë finale pa shumë presion, por pa diskutim me dëshirën dhe objektivin e madh për t’i bërë një mbyllje perfekte me dy trofe këtij edicioni:
“Është një mundësi e madhe për ne në këto momente, kjo pasi është vetëm hera e dytë që shkojmë në një finale Champions League. Kemi mundësinë të shkruajmë një kapitull të ri në historinë e klubit tonë. Për ta arritur këtë duhet të jemi të kthjellët, të karikuar dhe me dëshirë për të fituar”, u shpreh Arteta i cili u ndal më pas duke bërë një koment në lidhje me rivalin e tij në këtë finale, Luis Enrique:
“Ka qenë gjithnjë një pikë referimi për mua, që kur isha lojtar, kjo pasi Enrique ka qenë gjithnjë special. Kjo që ai po bën për PSG tregon qartë mentalitetin dhe identitetin e tij. PSG janë kampionët në fuqi të Champions League, por ne jemi këtu për t’i rrëmbyer atë trofe”, u shpreh Arteta.
