Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas betimit të ministrave të rinj të qeverisë në Presidencë, duke e cilësuar ceremoninë si “më qesharakën dhe banalen” e 35 viteve të fundit.
Në një konferencë për mediat nga selia blu, Berisha kritikoi riformatimin e kabinetit nga kryeministri Edi Rama, duke pretenduar se emërimet e reja janë të lidhura me korrupsionin në nivelet më të larta të qeverisë.
“Sot në Presidencë u zhvillua ceremonia më qesharake, më komike, më banale e 35 viteve të fundit. Riformatimi i qeverisë me klonimin nga Lubi Balluku shënon krimin permanent dhe përpjekjen për t’u trashëguar përmes krimit dhe vjedhjes së shqiptarëve”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, të gjithë ministrat e rinj janë të përfshirë në afera korruptive në sektorë të ndryshëm, si infrastruktura dhe energjia.
Berisha kritikoi edhe Presidentin e Republikës për dekretimin e ministrave të rinj, duke thënë se me firmat e vendosura është bërë pjesë e një procesi që ai e cilësoi si “krim të vazhdueshëm”.
Ai theksoi se situata politike në vend e bën të domosdoshme, sipas tij, dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe largimin e tij nga pushteti.
Në fund të deklaratës së tij, Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të reagojnë përmes protestave paqësore, duke i cilësuar ato si shpresën e fundit për ndryshim në vend.
