Gara presidenciale në Shtetet e Bashkuara po intensifikohet, ndërsa kandidatët po përpiqen të tërheqin mbështetës nga rivalët e tyre. Shumica e afrikano-amerikanëve në Shtetet e Bashkuara historikisht kanë votuar për kandidatët e Partisë Demokrate. Por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carolyn Presutti, ekipi i fushatës së Presidentit Biden ka filluar të shqetësohet rreth mundësisë së humbjes së mbështetjes nga një pjesë e këtyre votuesve.

Ekipi i fushatës së Presidentit Biden ka blerë hapësira për transmetim të reklamave për votuesit afrikano-amerikanë me vlerë 14 milionë dollarë në muajin maj.

Më vonë, drejtuesit e fushatës së tij njoftuan një plan për të investuar mbi 16 miliardë dollarë në Kolegjet dhe Universitetet afrikano-amerikane, që këshilltari i zotit Biden, Steve Benjamin e cilësoi “të pashembullt dhe një shumë rekord”.

Presidenti Joe Biden javën e kaluar kritikoi zotin Trump në një fjalim në Muzeun e Historisë së Afrikano-Amerikanëve për nder të 70-vjetorit të miratimit të ligjit për të drejtat civile në fushën e arsimit.

Ekipi i fushatës së zotit Trump i tha Zërit të Amerikës se “Votuesit afrikano-amerikanë dhe hispanikë, si të gjithë amerikanët, janë në gjendje shumë më të keqe tani se sa gjatë mandatit të Presidentit Trump dhe çdo sondazh pasqyron këtë realitet”.

Të dielën, Presidenti Biden mbajti një fjalim në cermoninë e diplomimit në Universitetin Morehouse, ku ka ndjekur studimet udhëheqësi i të drejtave civile Martin Luther King Jr. Por mbetet të shihet nëse këto fjalime dhe reklama do të jenë të mjaftueshme për të fituar votën e afrikano-amerikanëve më pesë nëntor./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: