Gjykata e Posaçme la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Ergys Agasin, I akuzuar si kreu i një grupi kriminal që vepronte brenda Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Agasi doli për herë të parë para një gjykate, pasi qëndroi në arrati tetë muaj me radhë, derisa u prangos dy ditë më parë në zonën e Plepave në Durrës.
Burimet thanë se seanca me dyer të mbyllura u shoqërua me debate me palëve që çështjen e provave.
Prokurori Bledar Maksuti kërkoi lënien në fuqi të masës së arrestit, duke arsyetuar se ekziston rreziku që Erys Agasi t’i shmanget drejtësisë duke u arratisur, sikurse veproi me herët, ndërsa mund të prishë provat e ndikojë mbi dëshmitarët.
Njëherazi prokurori i komunikoi Agasit edhe ngritjen e një akuze të re, atë të korrupsionit pasiv.
Avokati Maksim Haxhiaj kundërshtoi si në seancë dhe jashtë saj provat e SPAK dhe tha se klienti i tij Ergys Agasi është I pafajshëm dhe se akuza e heqjes së paligjshme të lirisë për të ka rënë
“Po kërkojmë që prokuroria të na paraqesë se ku qëndron prova për korrupsion. Këto janë masa që merr prokurori për të siguruar procesin e vetë, për të mos dështuar”, shprehet ai.
Avokati nuk dha shpjegime lidhur videot e zbuluara në zyrën e Agasit ku ai zhvillonte takime me personazheve të ndryshme. Sipas tij takimet nuk përbëjnë vepër penale.
“Nuk përbën vepër penale kur një person i respektuar takon një person tjetër”, tha ai.
Ndërsa i pyetur lidhur me marrëdhënien mes Agasit dhe Mirlinda Karçanajt, ish-drejtoreshë e AKSHI, e cila po hetohet si pjesë e grupit krininal të drejtuar nga biznesmeni, avokati deklaroi: “Duhet të pyesni atë!”.
Avokati gjithashtu refuzoi të jepte shpjegime se ku ka qëndruar Agasi gjatë kohës që ishte në arrati.
Sipas SPAK Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri kishin krijuar një grup kriminal që vepronte brenda Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe detyronin përmes dhunës dhe shantazhit rivalët e tyre në biznes të tërhiqeshin nga tenderat.
