Pas vendimit të Këshillit Bashkiak për dhënien e titullit “Qytetar Nderi”, me praninë e qindra qytetarëve delvinjotë, por edhe të familjarëve u përurua sot në qendër të qytetit busti në bronz i aktores së njohur Hajrie Rondo Veizi, bijë e Delvinës.

Kryetarja e bashkisë së Delvinës, Majlinda Qilimi, zbuloi bustin ndërsa vlerësoi figurën e aktores, duke u shprehur se Delvina e ka për krenari përjetësimin e kësaj bije në qendër të qytetit.

Busti është punuar me fantazi nga skulptori sarandiot, Kreshnik Xhiku. Skulptori zgjodhi të realizonte artisten Hajrie Rondo Veizi me pamjen e një prej roleve të saj më të spikatura, atë të Tanës në 14 vjeç dhëndër.

Hajrie Rondo Veizi ishte një aktore me diapazon të gjerë. Ajo ka interpretuar në të gjitha gjinitë. Rondo ka luajtur rreth 120 role në teatër dhe rreth 40 role në filma.

“Në jetën time kam pasur si lajtmotiv që ta shoh dhe ta përjetoj me ngjyrat më të bukura. Një nga këto ngjyra është ajo e profesionit që kam zgjedhur”. “Jeta është e bukur dhe duhet mbajtur fort, me dhëmbë”, shkruante aktorja në kujtimet e saj. Rondo ndërroi jetë më 11 korrik 2017 pas peripecive të shumta në luftën kundër kancerit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb