Zjarri i madh që përfshiu jugun e Spanjës ka shkaktuar deri tani të paktën 12 viktima dhe ka djegur rreth 66 mijë hektarë tokë që nga e enjtja, ndërsa autoritetet bëjnë të ditur se situata ka filluar të përmirësohet. Kreu rajonal i shërbimeve të shpëtimit, Antonio Sant, deklaroi se kushtet atmosferike gjatë natës kanë favorizuar operacionet për shuarjen e flakëve.

“Situata ndryshoi për mirë gjatë natës dhe kushtet e motit na lejojnë ta përballojmë ditën me perspektiva më të mira se dje. Kjo është dita e parë që do të mund të ndërhyjmë në mënyrë agresive ndaj zjarrit”, u shpreh ai. Deri më tani, ekipet e emergjencës kishin vepruar kryesisht në mënyrë mbrojtëse për shkak të intensitetit të flakëve dhe kushteve të pafavorshme.

Qindra zjarrfikës dhe efektivë ushtarakë vijojnë betejën me flakët, të mbështetur edhe nga mjete ajrore, ndërsa rreth 1,500 banorë janë evakuuar nga zonat e rrezikuara. Sant tha se deri tani nuk ka raportime për viktima të reja, një zhvillim që e cilësoi inkurajues. “Xhandarmëria ka kontrolluar zonat dhe nuk ka gjetur persona të tjerë. Kjo nuk do të thotë se nuk mund të ketë raste të tjera, por të paktën na jep shpresë”, deklaroi ai.

Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm spanjoll, Fernando Grande-Marlaska, bëri thirrje për kujdes në lidhje me raportimet për persona të zhdukur. Sipas tij, nuk bëhet fjalë për 23 persona të zhdukur, siç është raportuar fillimisht, por për persona me të cilët familjarët nuk kanë arritur të vendosin kontakt dhe që mund të ndodhen në qendrat e pritjes. Ministri shtoi se deri më tani janë regjistruar 7 kallëzime zyrtare për persona të zhdukur, ndërsa autoritetet presin rezultatet e autopsisë dhe identifikimin e trupave të pajetë për të përcaktuar bilancin përfundimtar të tragjedisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: