Seku Sidibe mund të konsiderohet padyshim si goditja më e rëndësishme për Partizanin në merkaton e janarit. Edhe pse zakonisht kjo dritare transferimesh nuk lejon që të gjesh futbollistët më të mirë të mundshëm në treg, duke qenë se ata janë nën kontratë, sërish drejtori sportiv i të kuqve ia ka dalë të godasë me transferimin e sulmuesit të krahut të djathtë.
Lojtari me pasaportë belge dhe me origjinë nga Bregu i Fildishtë ka zhvilluar pesë takime në këtë sezon me fanellën e kuqe, por kaq ka mjaftuar që të shndërrohet në një lojtar shumë të rëndësishëm për manovrat e trajnerit Oltijon Kërnaja. Deri më tani, Sidibe ka shënuar tre gola si dhe dy asiste në pesë ndeshje me Partizanin, teksa dy golat e fundit i mundësuan kryeqytetasve tre pikët ndaj Flamurtarit në transfertë.
Në fund, 24-vjeçari u shpall edhe si “Lojtari Më i Mirë i Ndeshjes”, ashtu siç ndodhi edhe në ndeshjen derbi ndaj Tiranës. Në sfidën ndaj bardhebluve, Sidibe shënoi gol si dhe asistoi dhe po ashtu u shpall si lojtari i ndeshjes. Në këtë formë, Sidibe i ka dhënë një “marsh” më shumë Partizanit, teksa lojtari dallon me karakteristikat e tij në krah, ku në duelet një për një është vërtet i papërmbajtshëm.
Kështu, impakti i sulmuesit ka qenë i jashtëzakonshëm me të kuqtë, që shpresojnë që lojtari ta ruajë këtë formë deri në fund dhe ta tërheqë skuadrën përpara drejt objektivave si “Final Four” dhe Kupën e Shqipërisë. Vlen të theksohet se Sidibe është formuar si futbollist në akademinë e klubit të famshëm holandez PSV, ndërsa ka pasur eksperienca edhe në Belgjikë me La Luviere apo edhe me Krajovën në Rumani.
