Krijohet prototipi i parë i një syri bionik i stampuar me teknologjinë 3D, sipas një studimi të përshkruar në revistën “Advanced Materials” nga një grup shkencëtarësh të Universitetit të Minesotës të drejtuar nga Michael McAlpine.

Ky sy përbëhet nga një bashkësi receptorësh të shndritshëm të vendosur në një gjysmësferë dhe ky është një hap i parë për të afruar me realitetin një teknologji që deri tani mendohej se ishte fantashkencë.

“Deri tani sytë bionikë janë menduar si diçka prej fantashkence, por sot jemi më pranë se kurrë”, komenton McAlpine.

Studiuesit filluan punën e tyre me një kupë gjysmësferike prej xhami, më pas vendosën një bojë të përbërë nga grimca argjenti, që janë lënë të thahen në mënyrë uniforme.

Më pas përdorën materiale me bazë polimeri gjysmëpërçues për të stampuar fotodiodat, pra receptorët që konvertojnë dritën në elektricitet. I gjithë procesi zgjati rreth një orë.

Por gjëja më e jashtëzakonshme është arritja e një efikasiteti prej 25%, duke transformuar dritën në elektricitet me gjysmëpërçues krejtësisht të stampuar në 3D.

Hapi tjetër tani do të jetë të krijohet një prototip me receptorë të ndritshëm më efikas, si dhe që të kryhet stampimi në një material të butë gjysmësferik, që të mund të implantohet në një sy të vërtetë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: