Ekspertët ndërkombëtarë të Bashkimit Evropian dhe misionit amerikan, OPDAT kanë kundërshtuar një propozim që ka ardhur nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të ndryshuar ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve,” i cili ndalon transferimet paralele dhe rritjet në detyrë të anëtarëve të këtyre këshillave.

Sipas një dokumenti të siguruar nga BIRN, ‘EU-JUST’ dhe ‘OPDAT’ e cilësojnë “të parekomandueshëm” një ndryshim të tillë, duke kërkuar që të ruhet standardi i vendosur në reformën e drejtësisë, e miratuar me konsensus politik në vitin 2016.

“Transferimi paralel nga gjykata/prokurori jashtë Tirane për në Tiranë apo gjykata/prokurori të tjera afër saj, konsiderohet zhvillim (ecuri) në karrierë,” theksohet në dokument.

“Ky është një standard i vendosur në reformë dhe këshillohet të ruhet”, shtojnë ndërkombëtarët në opinionin drejtuar një grupi pune në Komisionin e Ligjeve.

Ligji “Për statusin e Gjyqtarëve dhe prokurorëve”, i miratuar në vitin 2016, si pjesë e paketës së reformës në drejtësi, ndalon rritjen në karrierë për anëtarët e këshillave gjatë kohës që janë në detyrë dhe për një periudhë 3-vjeçare pasi u ka mbaruar mandati.

Reforma në drejtësi premtonte rikthimin e besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë përmes një procesi të përkohshëm vetingu dhe krijimit të institucioneve të reja si KLGJ dhe KLP, të cilat duhet të luftonin korporatizmin, të forconin pavarësinë dhe llogaridhënien.

Megjithatë, në shtator 2022, KLGJ dhe KLP dërguan në Kuvend një sërë propozimesh ligjore për të “korrektuar” reformën në drejtësi, 6 vite pasi ajo u miratua me konsensus të gjërë politik dhe mbështetje të ndërkombëtarëve.

Në propozimet e dërguara në Kuvend të dy këshillat kërkojnë që të ulet kohëzgjatja për promovimin e anëtarëve dhe ndryshimi i ndalimit për transferimet paralele.

“Ulja pjesërisht e kohëzgjatjes së ndalimit për ngritjen në detyrë të ish-anëtarëve të Këshillit si dhe heqja e ndalimit për transferimet paralele synon të adresojë vakancat në sistem,” argumentojnë ata.

“Magjistratët që përmbushin kriteret për tu bërë anëtar Këshilli, vlerësojnë më atraktive ngritjen në detyrë në gjykata më të larta se sa anëtarësinë (që pasohet nga një ndalim për ngritje në detyre dhe transferim)”, theksojnë ato.

Edhe pse kanë qenë të vetëdijshëm që ligji nuk i lejonte transferimet paralele të anëtarëve, KLGJ dhe KLP kanë bërë një sy qorr ndaj ligjit.

Në kundërshtim me ndalimet ligjore, në prill KLP vendosi të transferojë në Tiranë nga rrethet dy anëtaret e veta, Esmeralda Keshi dhe Eloida Goxhi.

Më 31 janar 2023, edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi me votë unanime të anëtarëve të pranishëm që të transferonte anëtaren e vet, Marçela Shehu, nga Gjykata e Kurbinit në atë të Tiranës./Reporter.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb