Përfaqësuesit e opozitës e akuzuan të enjten kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi se në shkelje të Rregullores së Kuvendit, po i ofron mbrojtje politike zv.kryeministres Belinda Ballukut duke shtyrë pa afat mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin e planifikuar për të mërkurën.

Peleshi shtyu mbledhjen me justifikimin se vendimi i Kuvendit për dhënien e autorizimit Prokurorisë së Posaçme, SPAK, për arrestimin e Ballukut varet nga vendimi që do të marrë Gjykata Kushtetuese për një masë tjetër ndaj saj të dhënë nga Gjykata e Posaçme.

Anëtarët demokratë e kundërshtuan si joligjore dhe të nxitur politikisht vendimin e Peleshit në mbledhjen me dyer të mbyllura të Konferencës së Kryetarëve, sipas deklaratave të shpërndara nga zyra e shtypit e grupit parlamentar demokrat.

Sipas kryetares së Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Jorida Tabaku, sjellja e Peleshit është mbrojtje politike që Kuvendi po i ofron një të pandehure nga drejtësia.

“Kjo që po ndodh është një njollë e zezë për Kuvendin,” tha Tabaku në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve duke kërkuar që “të mblidhet menjëherë Këshilli i Imuniteteve dhe t’i hapim rrugën drejtësisë për t’i hequr imunitetin”.

Kryetari i grupit të PD-së, Gazment Bardhi, e akuzoi Peleshin se po bënte “shkelje flagrante të Rregullores”.  “Dy orë para mbledhjes me një urdhër që përmbante të dhëna të rreme, e keni anuluar mbledhjen”- iu drejtua ai kryetarit të Kuvendit duke pretenduar se argumentimi i tij për shtyrjen nuk ka bazë ligjore.

“Askund nuk thuhet që Kuvendi duhet të presë të shprehet një institucion tjetër për një çështje që nuk ka lidhje me ne. Ka vetëm një shpjegim: ju keni marrë në mbrojtje korrupsionin e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut”-shtoi Bardhi, duke e cilësuar sjelljen e Peleshit arbitrare.

Kabineti i Kryetarit të Kuvendit shpërndau një përgjigje të tij në replikë me përfaqësuesit e opozitës në mbledhje.

“Këshilli ka vepruar dhe do të veprojë në çdo rast duke patur vijë të kuqe Kushtetutën, ligjin dhe rregulloren,” është mbrojtur Peleshi në mbledhje, duke i vlerësuar vendimet e tij në këtë rast si ligjore dhe kushtetuese.

Peleshi ka justifikuar vendimin për shtyrjen me kërkesën e dy anëtarëve të mazhorancës në  këshill që kanë kërkuar procesi i shyrtimit të kërkesës së SPAK të marrë parasysh dhe vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese.  “Unë si kryetar i këshillit jam i detyruar të mos injoroj asnjë qëndrim dhe kërkese për sa kohe që nuk shkel Kushtetutën, ligjin dhe rregulloren”- tha Peleshi duke iu kujtuar deputetëve se Kuvendi ndodhej ende brenda afatit 3 mujor që përcakton Rregullorja për marrjen e vendimit për pranimin ose rrëzimin e kërkesës së SPAK.

Zv.Kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, akuzohet nga SPAK për “shkelje të barazisë në tendera” me vlerë qindra milionë euro dhe prokuroria kërkon autorizimin e Kuvendit për një masë arresti, me argumentin se me qëndrimin në detyrë rrezikon të dëmtojë hetimin.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb