Gjatë raportimit përpara Kuvendit në tetor, ish-kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani u ankua se Shqipërisë i mungonte një kuadër ligjor për të mundësuar sekuestrimin e pasurive të paligjshme në formë dixhitale, nëpërmjet kriptovalutave.

Pavarësisht vakuumit ligjor, Dumani tha se SPAK kishte bllokuar 11 milionë euro kriptovaluta me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, por e konsideroi ndërhyrjen ligjore urgjente për të krijuar një kuadër të qartë se si do të veprohet me këto pasuri virtuale të konfiskuara.

Në fund të dhjetorit, qeveria prezantoi për konsultim publik një nismë ligjore që parashikon se menaxhimi i parasë virtuale së konfiskuar do të bëhet nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, AAPSK.

“AAPSK menaxhon monedha virtuale të sekuestruara ose të konfiskuara nga organet e drejtësisë sipas  vendimit të gjykatës apo urdhërit të prokurorit, i cili administrohet zyrtarisht në institucion,” parashikon drafti i propozimeve për ndryshime në ligjin “Për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara”.

Një nen tjetër i cakton Këshillit të Ministrave detyrën që që të përcaktojë rregullat dhe procedurat e administrimit të këtyre monedhave.

Projektligji i hartuar nga Ministria e Brendshme dhe AAPSK parashikon po ashtu dispozita që duket se fuqizojnë rolin e kësaj agjencie në shitjen, dhënien me qira apo përdorimin e pasurive të sekuestruara, ndërkohë që portofoli i Agjencisë zgjerohet edhe me pasuritë e sekuestruara nga pushteti vendor, të tilla si ndërtimet pa leje të konsfiskuara.

Projektligji parashikon që kjo agjenci të luajë rol direkt në kryerjen e procedurave të shitjes, për pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara, të cilat ka në administrim, ndryshe nga ligji në fuqi që kushtëzonte “bashkëpunim” me institucionet e tjera përgjegjëse për shitjen e pronave publike.

Në lidhje me ndërtimet pa leje parashikohet një term i ri “Fondi i posaçëm i dedikuar për ndërtimet pa leje”, i cili do të shërbejë për objekteve pa leje që janë konfiskuar dhe i kanë kaluar në administrim AAPSK.

Për të mundësuar kalimin e këtyre objekeve në menaxhim të kësaj agjencie, qeveria ka hedhur në publik dhe ndryshimet ligjore në ligjin “Për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje, me qëllim përdorimin e tyre për interes publik apo strehim social, si dhe zbutjen e pasojave sociale të shkaktuara”, një ligj I 2023-it që u bazua mbi një vendim të kontestuar të qeverisë për konfiskimin e pallateve pa leje.

Në relacion arsyetohet se kjo bën të mundur të kalojë procesin nga një model I shpërndarë kompetencash në një “model të centralizuar dhe efikas”.

Për të bërë të mundur menaxhimin e këtyre objekteve të konsfiskuara pranë AAPSK do të ngrihet një ‘grup pune’ dhe krijimi i një fondi të veçantë financiar me destinacion për veprimtarinë dhe zhvillimin e objekteve pa leje, të cilat janë konfiskuar dhe i kanë kaluar në administrim AAPSK.

Sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurive të vendosura në mënyrë të paligjshme konsiderohet një ndër armët më të forta në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsioni.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb