Birra “KORÇA” sqaron mungesën në Festën e Birrës: S’marrim pjesë nëse nuk ruhet tradita e koncerteve pa biletë dhe nuk janë të pranishëm artistët shqiptarë!

Konsumatorët e shumtë, qytetarët korçarë, si edhe turistë vendas e të huaj, këto ditë gushti shprehën shqetësimin që Birra Korça mungoi në festën tradicionale të Birrës që u zhvillua javën e kaluar në Korçë.

Në përgjigje të shqetësimit të publikut, Birra Korça gjen rastin të sqarojë vendimin për mospjesëmarrjen e saj në festë.
Duhet kujtuar që në fillim të viteve 2000 Birra Korça ishte bashkë-ideatore dhe bashkëorganizatore e festës së birrës me bashkinë e qytetit të Korçës, duke i shtuar atij një dimension të ri turistik.

Investimi në teknologji dhe infrastrukturën e fabrikës së birrës së parë shqiptare, që është ngritur që në vitin 1928, krijoi jo vetëm traditën e festës, por i shtoi Shqipërisë një atraksion të ri dhe shumë të rëndësishëm turistik.

Qëllimi i Festës së Birrës ka qenë që ajo të ishte një festë për të gjithë pa diferencime, të evidentonte traditat më të mira të trevës së Korçës, e njohur për kulturën, qytetarinë, kulinarinë e veçantë dhe mikpritjen.

Mirëpo, me kalimin e viteve, bashkia nisi ta privatizojë festën për qëllime propogandistike, duke cenuar traditën dhe në mospajtim me arsyet për të cilat ajo lindi dhe pati sukses të merituar.
Kjo kulmoi me edicionin e vitit 2021 ku i ftuar special i festës ishte këngëtari serb Goran Bregovic, ftesa për të cilin ngjalli debat të ashpër në të gjithë trevat shqipfolëse, ku Birra Korça mori një kosto të pamerituar edhe pse në bindjen tonë, muzika duhet të bashkojë dhe jo t’i ndajë popujt.

Ndërsa qëllimi i festës ka qenë pjesëmarrja e gjerë e qytetarëve pa asnjë dallim, bashkia e Korçës duke nisur nga viti i kaluar vendosi që disa prej koncerteve të ndiqeshin me bileta, me çmime të paimagjinueshme, sikur të bëhej fjalë për një koncert të mirëfilltë dhe jo një festë. Ky veprim u përsërit edhe sivjet me koncertin e këngëtarit grek Kostandinos Argjiros.

Duke pasur parasysh pjesëmarrjen e mjaft kompanive vendase dhe sponsorëve të shumtë, Birra Korça ka qenë kundër praktikës së pjesëmarrjes me bileta në këtë festë dhe ka kërkuar që artistët shqiptarë e veçanërisht korçarë, me emër në Shqipëri dhe në botë, të kenë vendin kryesor në netët e saj.

Birra Korça si bashkëideatore dhe bashkëorganizatore e kësaj feste nuk do të marrë pjesë edhe në vijim në Festën e Birrës, nëse nuk do të respektohen traditat dhe arsyet për të cilat ajo lindi, nëse praktika e festës me bileta do të vazhdojë, nëse do vijojnë të injorohen artistët vendas dhe nëse nuk bëhet transparencë me shpenzimet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb