Irani dhe Shtetet e Bashkuara do të mbajnë këtë të diel në Oman raundin e gjashtë të negociatave lidhur me programin bërthamor të Teheranit – një program që po avancon me ritme të shpejta – bëri të ditur ministri i Jashtëm i Omanit, Badr al-Busaidi, të enjten. Kjo deklaratë vjen në një kohë kur SHBA-ja po evakuon personelin jothelbësor nga disa përfaqësi në Lindjen e Mesme, si dhe familjarët e tyre, për shkak të rrezikut të trazirave në rajon.

Paralelisht, është ngritur shqetësimi për sulme të mundshme ndaj anijeve në ujërat e rajonit, në një klimë të rritur tensionesh. Ministri al-Busaidi e publikoi njoftimin në rrjetin social X, ku shkroi: “Jam i kënaqur të njoftoj se raundi i gjashtë i diskutimeve mes Iranit dhe SHBA-së do të zhvillohet në Muskat këtë të diel, më 15.”

Ndërsa Irani kishte paralajmëruar për zhvillimin e bisedimeve ditë më parë, Omani – që luan rolin e ndërmjetësit – nuk kishte dhënë deri më tani një konfirmim zyrtar. SHBA-ja ende nuk ka dhënë një reagim publik lidhur me zhvillimin e këtij raundi të ri bisedimesh. Nga ana tjetër, Irani ka refuzuar zyrtarisht një ofertë të Shteteve të Bashkuara për marrëveshje, duke e cilësuar atë si “të papranueshme” dhe të paplotë në pikat më të rëndësishme, veçanërisht sa i përket heqjes së sanksioneve ekonomike dhe pranimit të të drejtës së Iranit për të pasuruar uranium në territorin e vet.

Teherani ka bërë të ditur se së shpejti do të paraqesë një kundërpropozim nëpërmjet Omanit – një plan që e cilëson si “të arsyeshëm, të logjikshëm dhe të balancuar”, duke u kërkuar SHBA-së që ta shqyrtojë me seriozitet.

Megjithatë, nëse nuk arrihet një marrëveshje, ka gjasa që tensionet në Lindjen e Mesme të thellohen më tej, veçanërisht duke marrë parasysh konfliktin e vazhdueshëm në Rripin e Gazës. Kujtojmë se Teherani dhe Uashingtoni kanë zhvilluar më parë raunde bisedimesh në Muskat dhe në Romë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb