Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, dhe zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, zhvilluan të shtunën në Britani një takim me partnerë europianë dhe britanikë për të diskutuar rrugën drejt paqes në Ukrainë.
Takimi u mbajt pak ditë para se Donald Trump dhe Vladimir Putin të takohen të premten e ardhshme në Alaskë. Komentet e presidentit amerikan, se përfundimi i luftës duhet të përfshijë “shkëmbime territoresh”, u pritën me kundërshti nga Kievi. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, deklaroi të shtunën në mëngjes se “ukrainasit nuk ua japin tokën e tyre pushtuesve”.
Trump ka pranuar të takohet me Putinin, edhe pse ka refuzuar një takim me Zelenskyyn, duke shtuar frikën se Ukraina mund të anashkalohet gjatë negociatave.
Takimi mes Lammy dhe Vance u zhvillua në Chevening, Kent, dhe sipas The Guardian, u organizua me kërkesë të SHBA-ve.
Mbrëmjen e së shtunës, Lammy shkroi në X se ishte takuar me Vance, me Andriy Yermak – drejtuesin e zyrës së presidentit ukrainas – ministrin e Mbrojtjes, Rustem Umerov, si dhe me këshilltarë europianë të sigurisë.
“Mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar për Ukrainën mbetet e hekurt, ndërsa ne vazhdojmë të punojmë drejt një paqeje të drejtë dhe afatgjatë”, theksoi ai.
Zelenskyy e cilësoi takimin konstruktiv, duke theksuar se argumentet e Kievit u dëgjuan dhe rreziqet u morën në konsideratë. Ai shtoi se në diskutime morën pjesë përfaqësues nga Britania, Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia, Finlanda dhe Polonia, me synimin për të konsoliduar pozicionet në mënyrë që të arrihet një armëpushim.
(BalkanWeb)
