Ukraina dhe Rusia kanë vijuar të mërkurën në Abu Dhabi bisedimet për përfundimin e luftës, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka vlerësuar ndryshimin e qasjes së negociatorëve amerikanë, duke i cilësuar diskutimet si konstruktive, por deri tani nuk është arritur asnjë marrëveshje konkrete.
“Shoh ndryshime. Jam shumë i kënaqur me atë që po dëgjoj”, u shpreh Zelensky për gazetarët në Kopenhagë, duke i përshkruar bisedimet si “konstruktive dhe mjaft përmbajtësore”.
Edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cilësoi negociatat si “shumë produktive”, ndërsa i dërguari i SHBA-së, Jared Kushner, tha se Uashingtoni ka arritur të ngushtojë dallimet mes palëve, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Megjithatë, vlerësimet pozitive nuk kanë zhbërë mosmarrëveshjet e thella mes Kievit dhe Moskës, veçanërisht për çështjen e territoreve, garancitë e sigurisë dhe kushtet e një armëpushimi.
Diskutimet e së mërkurës pritet të përqendrohen te masat për uljen e tensioneve, përfshirë mbrojtjen e infrastrukturës energjetike dhe situatën në Detin e Zi. Në tryezë është edhe mundësia e organizimit të një takimi trepalësh në nivel liderësh.
Një nga çështjet më të vështira në negociata mbetet kontrolli i territoreve në lindje të Ukrainës. Moska kërkon që forcat ukrainase të tërhiqen nga rajonet lindore, përfshirë edhe zona që vijojnë të kontrollohen nga Kievi.
Zelensky akuzoi negociatorët rusë se po paraqesin pretendime të pavërteta për përparimet në fushën e betejës, duke thënë se ata pretendonin se Rusia kishte marrë nën kontroll gjysmën e territorit të Donbasit që ende mbahet nga Ukraina.
Sipas presidentit ukrainas, delegacioni i Kievit i kundërshtoi këto pretendime me pamje filmike, ndërsa komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s në Evropë, gjenerali Alexus Grynkewich, i pranishëm gjithashtu në Abu Dhabi, konfirmoi se hartat e paraqitura nga Ukraina pasqyronin më saktë situatën në terren.
Zelensky sugjeroi se presidenti rus Vladimir Putin mund të jetë duke marrë informacione të pasakta për përparimin e ushtrisë së tij dhe të besojë se forcat ruse mund të marrin nën kontroll pjesën e mbetur të Donbasit brenda pak muajsh. Megjithatë, Rusia nuk ka arritur të pushtojë të gjithë rajonin që prej nisjes së ndërhyrjes së saj në Ukrainë në vitin 2014.
Kreu i shtetit ukrainas theksoi se vendimet përfundimtare mbi çështjet territoriale duhet të merren nga liderët e të dy vendeve dhe jo nga negociatorët në Abu Dhabi. Përpara bisedimeve, presidenti amerikan Donald Trump kishte lënë të kuptohej se Ukraina mund të detyrohej të pranonte ndryshime territoriale, duke deklaruar se vendi do të përfundonte me “një formë paksa të ndryshme”.
Garancitë e sigurisë dhe roli i Evropës
Një tjetër temë e rëndësishme e negociatave është krijimi i një kuadri të ri sigurie që do të përfshinte Ukrainën, Rusinë dhe Evropën.
Jared Kushner deklaroi se SHBA synon të hartojë një arkitekturë të re sigurie, ndërsa një burim nga delegacioni rus bëri të ditur se përfundimi i luftës është vetëm një prej çështjeve që Moska dëshiron të trajtojë.
Pjesëmarrja në delegacionin rus e zëvendësministrit të Jashtëm Sergei Ryabkov konsiderohet domethënëse, pasi përpara pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022, ai ishte përfshirë në kërkesat e Moskës që NATO të tërhiqte praninë e saj ushtarake nga Evropa Lindore.
Zyrtarët evropianë kanë zhvilluar konsultime të ndara në Abu Dhabi, por nuk janë pjesë e bisedimeve trepalëshe. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ironizoi praninë e tyre, duke deklaruar: “Epo, kanë fluturuar drejt Abu Dhabit. Le të qëndrojnë në hotel”.
Nga ana tjetër, Marco Rubio tha se evropianët do të duhet të përfshihen në një fazë të mëvonshme të negociatave, pasi janë pjesë e zgjidhjes së konfliktit.
Armëpushimi dhe shkëmbimi i të burgosurve
Pavarësisht përpjekjeve diplomatike, Moska vijon të kundërshtojë një armëpushim të menjëhershëm. Lavrov ka akuzuar qeveritë evropiane se synojnë t’i japin Ukrainës kohë për të rikuperuar humbjet ushtarake.
Kievi, ndërkohë, shpreson që marrëveshjet e kufizuara për armëpushime të hapin rrugën drejt një ndalimi më të gjerë të luftimeve. Një precedent i tillë ishte edhe operacioni humanitar i muajit të kaluar në Oleshky, në një zonë të pushtuar nga Rusia, ku u mundësua dërgimi i ndihmave dhe evakuimi i civilëve.
Në tryezën e diskutimeve është edhe një shkëmbim i madh i të burgosurve. Zelensky bëri të ditur se palët po shqyrtojnë mundësinë e shkëmbimit të 1,000 të burgosurve nga secila anë, ose edhe të 1,500 personave për secilën palë. Zyrtarë amerikanë pritet të udhëtojnë gjithashtu drejt Rusisë për bisedime të mëtejshme.
Një shkëmbim i tillë do të vinte pas negociatave të majit 2025 në Stamboll, kur Ukraina dhe Rusia ranë dakord për shkëmbimin e nga 1,000 të burgosurve, megjithëse nuk arritën të siguronin një armëpushim.
Deri më tani, marrëveshjet humanitare dhe shkëmbimet e të burgosurve kanë qenë rezultatet e vetme konkrete të përpjekjeve diplomatike, ndërsa për një armëpushim të përgjithshëm apo një marrëveshje paqeje nuk ka ende dakordësi.
