Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka zhvilluar koordinime me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përpara bisedimeve trepalëshe që pritet të mbahen në Abu Dhabi më 10 dhe 11 nëntor. Përmes një postimi në rrjetin social X, Zelensky bëri të ditur se palët kanë harmonizuar qëndrimet me synimin që takimi mes Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të sjellë rezultate konkrete.
Ndërkohë, Kremlini ka deklaruar se negociatat do të zhvillohen ekskluzivisht mes delegacioneve ruse, ukrainase dhe amerikane, duke përjashtuar pjesëmarrjen e zyrtarëve evropianë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, theksoi se Ukraina dhe SHBA-ja kanë kanalet e tyre të komunikimit me partnerët evropianë. Deklarata e Moskës bie ndesh me qëndrimin e ministrit të Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, i cili kishte deklaruar se zyrtarët francezë do të jenë të pranishëm në takimin e Abu Dhabit.
Në bisedime pritet të diskutohen përfundimi i luftës në Ukrainë, garancitë e sigurisë pas konfliktit dhe masat për uljen e tensioneve.
