NGA Dorjana BEZAT

MORINE- Bizhuteri floriri, orë origjinale dhe telefona të markave të fundit ishte arsenali i sendeve të vjedhura të gjetura në banesë dhe në makinën e 29-vjeçarit Gentian Duraku, lindur e banues në Morinë. Ai u vu në pranga falë një operacioni të përbashkët Gjermani-Francë-Shqipëri, i cili ka çuar në goditjen e një grupi kriminal që vidhte banesa në Gjermani dhe Francë.

29-vjeçari ishte i papunë në vendin tonë, dhe i vetmi aktivitet i tij ishte tregtimi në tregun e zi të bizhuterive të grabitura. Ai bashkëpunonte dhe me argjendari të ndryshme në disa qytete.

Për t’i sjellë sendet e vjedhura në Shqipëri për të mos rënë në sy të policisë 29-vjeçari përdorte transport publik dhe nuk udhëtonte kurrë me makinë private.

Mësohet se pjesë e këtij grupi janë mbi 40 persona dhe dëmi që kanë shkaktuar është rreth 500 mijë euro. Si pjesë e një hetimi të përbashkët mbi një seri vjedhjesh banesash në Gjermani dhe Francë, oficerët e policisë shqiptare në bashkëpunim me homologët e tyre gjermanë dhe francezë dhe me mbështetjen e Europolit, javën e kaluar kontrolluan një numër të madh pronash në Shqipëri.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb