Kampionia në fuqi e vendit, Tirana, ia ka parë hajrin bashkëpunimit me klubin e Superligës ukrainase, Vorskla Poltava.

Pas transferimit të Enur Totres dhe Taulant Seferit, dje bardheblutë konfirmuan edhe shitjen e Ardit Tolit.

Në fakt, ky i fundit po stërvitej prej ditësh me Vorsklën, por vetëm dje Tirana zyrtarizoi gjithçka pasi arriti akordin me ukrainasit për shifrën e transferimit.

ARDIT TOLI 1

“Tirana njofton arritjen e marrëveshjes me klubin ukrainas, FC Vorskla Poltava, për lojtarin Ardit Toli.

Pas bashkëpunimeve të frytshme me dy lojtarët kampionë, Enur Totre dhe Taulant Seferi, klubi ukrainas shprehu interesin mbi blerjen e lojtarit.

Tashmë është arritur marrëveshja për transferimin e tij dhe i urojmë suksese në këtë rrugëtim”, citohej dje në faqen zyrtare të Tiranës për Tolin.

“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se presidenti Refik Halili ka rënë dakord me homologun ukrainas që për shërbimet e Tolit të derdhin 120 mijë euro në arkën e klubit bardheblu.

Por, duke shtuar këtu edhe 400 mijë euro nga shitja e Seferit, e gjithashtu 300 mijë euro për transferimin e Totres, i cili u ble i pari, Tirana del në total me arkëtim prej 820 mijë eurosh.

Një biznes fantastik me ukrainasit në kohë lufte, me kampionët në fuqi të Shqipërisë që shfrytëzojnë në mënyrën më të mirë këtë situatë.

ENUR TOTRE

Edhe pse në fushë ishte një verë për t’u harruar e Tiranës, pasi u eliminua nga Liga e Kampioneve dhe Liga e Konferencës me katër humbje radhazi, sërish suksesi erdhi në arkat e klubit, që shënojnë një rekord sa u përket të ardhurave nga transferimet dhe pjesëmarrja në kompeticionet e Europës.

Vetëm si klub kampion dhe pjesë e Champions-it e Ligës së Europës, bardheblutë kanë fituar rreth 1 milion euro, ndërsa duke shtuar këtu edhe 820 mijë euro nga shitjet e tre lojtarëve në Ukrainë, mund të thuhet se është një sukses i madh për anën financiare.

Vorskla është një klub me traditë në Ukrainë, që ka arritur të fitojë Kupën në sezonin 2008-2009, si dhe gjithashtu Superkupën. Në muajin e kaluar u përfaqësua në Ligën e Europës, tek sa u eliminua nga AIK Stokholmi.

DEBUTIMET – Taulant Seferi nga avioni dhe direkt në fushë, por si zëvendësues, ndërsa Ardit Toli dhe Enur Totre si titullarë. Dje nisi zyrtarisht kampionati ukrainas dhe tre lojtarët që u shpallën kampionë me Tiranën debutuan me fanellën e Vorskla Poltavës.

Kjo e fundit humbi në transfertë me shifrat 3-1 kundër Zoria Luhans. Toli luajti për 90 minuta, ndërsa Totre u zëvendësua në të 68-ën. Nga ana tjetër, Seferi e nisi nga stoli dhe u aktivizua në minutën e 68-të.

SK (1)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: