Deputetja e Partisë Socialiste dhe njëherazi kandidate për deputete në qarkun e Tiranës, Blerina Gjylameti, ka folur sot nga studioja e News24 për atmosferën politike në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit, si dhe për disa nga shqetësimet e ngritura nga qytetarët dhe bizneset gjatë fushatës.

Gjylameti theksoi se një ndër kërkesat më të shpeshta që ka dëgjuar nga bizneset e vogla është që dita e diel të shpallet pushim.

“Furrat e bukës, kinkaleritë dhe shumë biznese të tjera të vogla e kërkojnë këtë. Duan kohë për familjen dhe për veten. Ekonomia sot është ndryshe dhe nuk jemi më në kushtet e viteve të mëparshme,” u shpreh ajo.

Sipas deputetes socialiste, përveç nevojës për pushim, kjo nismë do të krijonte kushte më të mira pune dhe do të përforconte të drejtat e punonjësve. Ajo përmendi gjithashtu sektorin e turizmit si një nga prioritetet që pritet të zhvillohet ndjeshëm, falë edhe lehtësirave fiskale për agroturizmin dhe ofrues të tjerë të shërbimeve në këtë fushë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb