TIRANE- Ashtu siç u paralajmërua një ditë më parë, bizneset kanë ulur qepenat paraditen e sotme, në shenjë proteste ndaj taksave të larta. Duke u shprehur kundër përfshirjes së biznesit të vogël në skemën e TVSH-së, tregtarët kanë vendosur të protestojnë ditën e sotme.
Këtë protestë të tyre e mbështet edhe Partia Demokratike, e cila e quan të gabuar politikën e qeverisë Rama me taksat.
Në takimin që pati një ditë më parë me një grup përfaqësuesish të biznesit të vogël, Basha udhëzoi deputetët e PD që të shpërndahen nëpër zona të ndryshme të Tiranës, për të mbështetur tregtarët që ulën qepenat e dyqaneve nga ora 11:00 deri në 12:00.

Tregtarët thonë për kamerën e “News24” se: “I bashkohemi protestës së tregtarëve dhe Shoqërisë, pasi taksat janë rritur ndjeshëm, unë jam biznes i vogël kam bërë 23 mln lekë xhiro (të vjetra) dhe më thotë do futesh biznes i madh. Ne me zor mbulojmë shpenzimet. Edhe mallrat i shesim nën kosto. Unë muajin tjetër e mbyll biznesin se falimentoj. Sa më efektiv të jetë biznesi i vogël, aq më e qëndrueshme është ekonomia. Të shkatërrosh biznesin e vogël është tepër e dëmshme. Në vendet e rajonit nuk rrinë tatimet derë më derë duke kërkuar lekë.

Një tregtar tjetër thotë se ky taksim është mbi mundësitë e tyre.

“Shteti po e shtrëngon sa më shumë. Po ia pi gjakun tregtisë. Asgjë nuk po formalizohet, por po falimenton çdo gjë. Ne vetëm nxjerrim lek, derisa tani do të dorëzojmë çdo gjë. Se nuk mundemi. Që kur ka hyrë 15 janari, ne po e mbyllim dyqanin me minus”.
Të pyetur nga gazetari “Pse pritet thirrjen e opozitës”, ata thonë:
“Nuk ka njeri kush të na organizojë, nuk ka shoqata këtu, nuk ka sindikata. Të gjithë flasim, por nuk mundim të reagojmë. Për festat e 28-29 nëntorit kur vinim në mëngjes për ë hapur dyqanin, i gjenim tatimorët këtu duke na pritur”.
(el.sp/BalkanWeb)
