Genti Progni, në protestën para Kryeministrisë, ngriti shqetësimin për padrejtësitë me të cilat përballen qytetarët shqiptarë. Në fjalën e tij, ai solli një sërë rastesh nga jeta e përditshme, duke folur për problemet me pronat, drejtësinë, shëndetësinë, punësimin dhe korrupsionin.

“Ky vend është si sëmurë nga padrejtësitë. Kemi 35 vite që një familje endet për të gjetur pronën e vetë. Babai pret dhe vdes pa drejtësi, e vazhdon djali, dhe më pas nipi. Të shtyp makina në rrugë dhe familja jote duhet të luftojë për të drejtën, dosja zvarritet nga një institucion te tjetri. Të vjedhin dhe ndonjëherë viktima duhet të provojë pafajësinë e vetë. Një fëmijë me sondë lodhet dhe sakrifikon. Një i ri diplomohet dhe nuk ka një vend pune, kur një telefonatë vlen më shumë se diploma e tij. Sëmuresh dhe në momentin e vështirë duhet të mendosh se ke një dhe sa kushton. Fëmijë që marrin borxh për një operacion. Prindër që kërkojnë ndihmë. Të moshuar që nuk kanë lekë për ilaçe. Punon me vite dhe nuk të respektohen të drejtat. Të heqin nga puna se nuk pranon të heshtësh. Dikujt tjetër i zgjidhet një problem me një telefonatë. Njëri paguan çdo taksë, për punonjës dhe kontrollohet për çdo presje, tjetri që ka shkelje dhe s’e gjen gjë. Të kesh pronën tënde, të marrësh drejtësi kur të bëjnë keq, të mjekohesh me dinjitet, të konkurrosh pa mik, të hapësh një biznes pa kërkuar mbrojtje. Kemi normalizuar anormalen; duhet një mik, nuk gjen drejtësi; kjo është tragjedia më e madhe. Kemi filluar të jetojmë sikur padrejtësia është ligj i natyrës. Nuk është normale të kalosh jetën tënde nëpër gjykata për pronën tënde. Nuk është normale që i ndershmi të ndihet budalla dhe i korruptuari i zgjuari. 35 vite janë mjaft, se shteti nuk matet me fasada. Nëse ligji nuk e mbron qytetarin, atëherë ka humbur kuptimin. Janë lodhur prindërit, njerëzit që jetojnë këtu, administrata, dhe jemi lodhur të gjithë. Nuk kërkojmë favore, privilegje, por elementare. Që i drejti të mos ketë frikë dhe i padrejti të mos ketë pushtet. Shqipëria nuk shërohet vetëm me fasada, me pallate, por me drejtësi. Dorëheqje!”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: