VLORË- Pak ditë pas atentatit me një sasi të konsiderueshme eksplozivi C4 në makinën e tij, biznesmeni vlonjat Vasil Bedinaj deklaron se nuk ka asnjë konflikt dhe kërkon që shteti të zbardhë sa më shpejt ngjarjen, pasi në të kundërt siç thotë ai do t’i gjejë vetë përgjigjet. Në një prononcim për gazetarët në Vlorë, Bedinaj thotë se është fat që ai ka shpëtuar nga ai atentat dhe meraku i tij më i madh është familja, për të cilën kërkon mbrojtje.
“Ju falënderoj që kërkuat këtë intervistë edhe për të sqaruar 2 gjëra. Po është e vërtetë që është kryer një atentat, por për fatin tim të mirë dështoi. Dua t’ju bëj me dije, ashtu siç edhe ju më njihni që jam qytetar njësoj si ju me bizneset e mia jetoj në 2 qytete, në Vlorë dhe në Tiranë. Nuk kam pasur dhe nuk kam asnjë konflikt, dhe të asnjë lloj natyre, qoftë për biznesin, qoftë personale, qoftë familjare. Jam një djalë, një biznesmen që punon ditë e natë. Jam përpjekur gjatë gjithë jetës sime të jem një qytetar i thjeshtë dhe i ndershëm. Nga dita e djeshme ka pasur një interesim jashtëzakonisht të madh nga kolegët tuaj nga Tirana dhe nga Vlora dhe është më mirë ta dëgjoni prej meje. Ishte një atentat jo i improvizuar për të më kërcënuar, por ishte një atentat në banesën time, në garazhin tim. Një kat më lart jetonte familja ime, me një sasi të konsiderueshme C4 sipas ekspertëve që ishin në vendngjarje, kështu që jam me fat që sot jetoj”, thotë ai.
Si e zbuluat?
Hipa në makinë dhe bëra ndezjen e makinës. Nuk kaluan as 10 sekonda, mezi e futa në marsh e bëri shpërthimin, por gjysmë shpërthimi sipas ekspertëve, ishte diçka që nuk funksionoi për fatin tim të mirë aty brenda.
Keni kërkuar mbrojtje?
Po kam kërkuar mbrojtje për familjen sepse këtë të drejtë e ka çdo qytetar i këtij vendi. Nuk po shoh që ka mbrojtje, por nuk mund të them jo sepse shteti ka strukturat që edhe mund t’i ketë marrë masat.
Mund të flasim për një lloj ngjyrimi politik, referuar edhe angazhimit tuaj si kandidat i pavarur i Bashkisë së Vlorës gjatë fushatës elektorale?
Nuk e mendoj këtë gjë. Jemi në vitin 2016, kemi kaluar një fushatë civile qytetare. Në ditët në vazhdim, instancat që merren me këto gjëra, shpresoj të na japin një përgjigje sa më shpejt.
Keni konflikte me njeri?
Ju siguroj që përveçse të mira nuk i kam askujt borxhe dhe nuk më ka askush borxh. Ju e dini që mund të jem nga të vetmit, jam një biznesmen që sot mund të kem mbi 150 punonjës që punojnë në këto ditë të vështira dhe kam një marrëdhënie perfekte me të gjithë. Qoftë kolegë në fushën time, qoftë në biznese të tjera që unë kam. Më keni parë që shëtis gjatë gjithë kohës, natë-ditë jam totalisht i lirë dhe nuk kam dhe nuk më ka asnjëri detyrime, përveçse partnerit tonë, bankave dhe me të cilat jam në mënyrë absolute perfekt në marrëdhënien time me bankën. Ky është i vetmi borxh që siç e kanë të gjithë biznesmenët e kam edhe unë.
Keni pasur kërcënime?
Nuk kam pasur asnjë lloj kërcënimi, qoftë edhe më të vogël.
Pas atentatit a jeni marrë në pyetje dhe keni pasur kontakte me strukturat e shtetit?
Kam dhënë vetëm deklaratën ditën e parë, që ndodhi ngjarja dhe nga ai moment nuk kam pasur më kontakte nga strukturat e shtetit. Por, siç ju thashë pak më parë ata kanë strukturat e veta, bëjnë punën e tyre dhe shpresoj dhe këtë e theksoj që në ditët në vazhdim kërkoj me ngulm që të kem një përgjigje se pse ka ndodhur kjo. Në rast të kundërt në ditët në vazhdim mund ta kem edhe unë një përgjigje.
Përsa i përket mbrojtjes, cila është kërkesa juaj dhe cili është mesazhi juaj?
Mesazhi im dhe mesazhi i çdo qytetari i këtij vendi në rast se i ndodh diçka e tillë: Strukturat e shtetit duhet të marrin të gjithë masat për mbrojtjen e familjarëve sepse e kemi këtë të drejtë, jemi taksapagues, jemi qytetarë të këtij vendi. E kemi këtë të drejtë dhe nga strukturat shtetërore të na ofrohet mbrojtja dhe nëse jemi kriminelë, të na çojnë atje ku kemi vendin si kriminelë por nëse jemi qytetarë të na mbrojnë si qytetarë që të jetojmë të lirë.
Ju thatë se nëse shteti nuk ka asnjë emër, në ditët në vijim do të keni ndonjë emër…
Të gjithë po punojmë që edhe unë ta di shkakun, që edhe unë që të më njihni ashtu siç e dini. Të mos kemi devijime të konceptit, Vasil Bedinaj e njihnim ndryshe dhe na doli ndryshe. Çfarëdolloj konkluzioni jo të vërtetë që mund të përpiqet dikush të hedhë ndaj meje, ju siguroj që do jetë diçka për të mbuluar të vërtetën. E vërteta do dalë.
(m.k/BalkanWeb)
