Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, sfidoi deputetët e opozitës lidhur me akuzat për blerjen e një mjeti 150 mijë euro.

Nga foltorja e Kuvendit, Lleshaj tha se makina është blerë 49 mijë euro, duke theksuar prerë se nëse ky mjet është blerë më shumë, ai jep dorëheqjen nga detyra.

“Është pasqyruar një fakt skandaloz i rremë, që thotë se ministri ka blerë një automjet 100 milionë lekë apo 150 mijë euro. E vërteta është se ky mjet ka kushtuar vetëm 49 mijë euro. Ndërsa ministri Lleshaj ka vetëm një mjet tip Hundai. Nëse ai mjet nuk kushton 45 mijë euro, jap dorëheqjen tani këtu, në të kundërt do ta jepni ju”, u shpreh Lleshaj.

Replika e plotë e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj me deputetët e opozitës:

Faleminderit z. Kryetar, Të nderuar deputetë z. deputet, Bëni mirë që bëheni zëdhënës i një personi të caktuar, që ju e quani media, nuk e di se kush është. Nuk i kam kthyer përgjigje asaj të ashtuquajturës media që ju përmendni, për arsye se nuk e konsideroj të denjë për t’i kthyer përgjigje. Po, juve ju kthej përgjigje. Por ju thatë diçka të bukur në fund, në që vend t’i turreni medias, shkoni në gjykatë. Në gjykatë shkon ai që ka një problem. Në qoftë se ju keni një problem me Ministrin e Brendshëm, duhet të shkoni ju në gjykatë. Unë s’kam probleme me median.

Dhe po ju them këtë: – media, të cilës ju i referoheni, nuk e meriton emrin ose ndajshtimin “media”, për sa kohë është një instrument i mashtrimit publik. Këtë fakt e di unë. Unë e di të qartë faktin që media, së cilës ju i referoheni ka bërë një mashtrim publik, për të cilin insiston në mënyrë kriminale prej disa ditësh. Po bëhen disa ditë që mashtron publikun në mënyrë skandaloze, duke thënë që “Sandër Lleshi ka blerë automjet”. Unë kam një automjet tip “Honda”, të vitit 2010, si Sandër Lleshaj.

Kjo media nuk ka asnjë tagër të gjëmojë nga mbrapa automjetet, që përdor Ministri i Brendshëm, të cilat nuk janë vetëm një, janë disa. Dua t’ju them juve dhe publikut, që kjo media ka pasqyruar një fakt skandaloz, të rremë, që thotë “është blerë një automjet në vlerën 100 milionë lekë”, ndërkohë që është pasuar nga një media tjetër më e ndyrë se kjo, që thotë është 150 mijë euro. Unë po ju them me përgjegjësi të plotë që mjeti i blerë për llogari të Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë, nuk ka kushtuar 150 mijë euro, nuk ka kushtuar 100 milionë, por ka kushtuar vetëm 49 mijë euro. Ju sfidoj që të thonë kaq: – në qoftë se ai mjet nuk ka kushtuar 49 mijë euro, unë jap dorëheqjen këtu. Në qoftë se ka kushtuar 100 milionë, atëherë jepni dorëheqjen ju. Megjithëse ju e keni dhënë dorëheqjen. Faleminderit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb