NGA: Klodiana Lala* TIRANE- Blindohet” burgu “Mine Peza” në Tiranë. Prej mbrëmjes kur në Paris u shënuan aktet e përgjakshme terroriste duke shënuar qindra viktima e të plagosur, masat e sigurisë në burgun 302 janë shtuar shumë, për shkak se në ambientet e tij mbahen të izoluar nëntë të akuzuarit për rekrutime të besimtarëve myslimanë shqiptarë për xhihad luftarak në Siri.

“Kemi rritur në maksimum masat e sigurisë në ambientet e brendshme dhe të jashtme të burgut. Të paraburgosurit që po gjykohen në Gjykatën e Krimeve të Rënda për rekrutime xhihadiste, po mbahen nën vëzhgim të rreptë. Deri më tani nuk kemi konstatuar nga ana e tyre asnjë sjellje që bie ndesh me rregulloren e burgut. Gjithsesi, masat janë marrë për të shmangur ndonjë sulm të mundshëm nga jashtë”, tha një zyrtar u lartë i Burgjeve. Plani i masave të shtuara nuk ka një afat, në fakt e gjithë Policia e Shtetit ka kaluar në gatishmëri, nisur dhe nga mesazhi që mori në emailin personal ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ku Shqipëria kërcënohej me sulme terroriste.

Sa i përket burgut 302, i njëjti zyrtar tha se ndryshe nga institucionet e tjera të vuajtjes së dënimit në vend, në këtë godinë ka masa më të shtuara, për shkak të të paraburgosurve që mbahen të izoluar, të cilët prokuroria i akuzon për thirrje ekstremiste. Të paraburgosurit, mes të cilëve edhe dy imamët e vetëshpallur Genci Abdurrahim Balla i xhamisë së Tiranës së Re dhe Bujar Hysa i Xhamisë së Mzezit, do të vijojnë të takohen normalisht me të afërmit e tyre, por kurrsesi nuk do të lejohen që në ambientet e paraburgimit të hyjnë persona të tjerë që nuk kanë lidhje gjaku për të pasur kontakt me ta.

ANTITERRORI
E premtja e zezë për Parisin, sigurisht që ka shkaktuar veç dhimbjes, edhe frikë në Shqipëri. Pas kësaj ngjarjeje, Policia e Shtetit ka kaluar në gjendje gatishmërie dhe ka përpiluar një plan të posaçëm masash për rendin dhe sigurinë në vend. Efektivët e policisë dhe struktura të veçanta, sikurse është Antiterrori, do të jenë në gatishmëri të përforcuar në të gjithë vendin pa një afat të caktuar. Sipas planit të posaçëm të policisë, janë përforcuar masat për ruajtjen dhe sigurinë e ambasadave dhe rezidencave të huaja në Tiranë, në aeroport, porte, shkolla, stacionet elektrike, etj.

Zyrtarë të lartë të policisë thanë se plan i veçantë masash është përpiluar edhe për mbikëqyrjen e personave të dyshuar me prirje radikale ekstremiste. Policia e Shtetit prej disa kohësh ka në duar një listë të personave, të cilët kanë tendenca për akte terrori. Kjo listë u hartua që pas goditjes së një grupi ekstremistësh që rekrutonin besimtarë myslimanë shqiptarë për xhihad luftarak në Siri. Ky grup personazh, disa prej të cilëve kanë qenë edhe në Siri dhe janë kthyer, mbahet nën vëzhgim përgjatë 24 orëve dhe jo vetëm fizikisht, por edhe vendet ku banojnë apo punojnë. Ndërkaq, nën vëzhgim po mbahen dhe disa xhami, ku gjithmonë ka pasur dyshime se bëhen thirrje ekstremiste. Struktura e Antiterrorit ka në duar një hartë të këtyre objekteve të kultit.
(ed.me/GSH/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: