Policia e Shtetit ka refuzuar garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë protestës që do të mbahet në orën 18:00 nga Partia Demokratike.
Megjithatë, gazetarja Klodiana Lala raporton se duke qenë se Policia ngarkohet nga ligji dhe Kushtetuta të sigurojnë rendin për qytetarët, janë marrë masa.
1500 forca policie janë në gatishmëri, ku janë shpërndarë në godina të rëndësisë së veçantë. Kjo pasi protestuesit pasi të mblidhen para Kryeministrisë pritet të marshojnë drejt institucioneve kryesore, duke përjashtuar Kuvendin.
Ndërkohë në masat e marra është blinduar edhe Kryeministria, ndërsa është vendosur edhe gardhi metalik.
Forcat Shqiponja po pajisen me fikëse zjarri, si masë paraprake ndaj asaj që pritet të ndodhë, duke pasur si pikë referimi protestat e mëparshme.
Njoftimi i policisë:
Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës për zhvillimin e një tubimi sot në orën 18:00, para Kryeministrisë.
Nisur nga incidentet e ndodhura gjatë tubimit të mëparshëm, ku u evidentuan akte dhune dhe përdorim i mjeteve të rrezikshme ndaj punonjësve të Policisë, pjesëmarrja e personave të maskuar dhe përdorimi i të miturve në tubim, si dhe nga informacionet e siguruara mbi mundësinë e përsëritjes së veprimeve të tilla, Policia e Tiranës i ka kthyer përgjigje subjektit politik se nuk merr përsipër garantimin e zhvillimit të tubimit.
Pavarësisht përgjigjes së kthyer, Policia e Tiranës, në përmbushje të detyrave funksionale, ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në qytetin e Tiranës, mbrojtjen e institucioneve shtetërore, si dhe për lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve, në rast se tubimi do të zhvillohet.
Policia e Tiranës apelon për qytetarët që, nëse ndeshen me veprime të dhunshme, të distancohen dhe të denoncojnë çdo paligjshmëri që konstatojnë.
