Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e ka përsëritur se nuk mund të ketë përmirësim të marrëdhënieve në mes të Shteteve të Bashkuara dhe talebanëve në Afganistan, nëse nuk avancohet trajtimi i grave.

Duke folur para gazetarëve më 15 gusht, në përvjetorin e dytë të kthimit të talebanëve në pushtet, Blinken ka thënë se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të punojnë për t’i mbajtur talebanët përgjegjës për zotimet që i kanë dhënë, sidomos kur është fjala për të drejtat e vajzave dhe grave.

“Ne kemi qenë shumë të qartë me talebanët – edhe dhjetëra shtete tjera në botë kanë qenë shumë të qarta – që rruga për marrëdhënie normale me talebanët, do të bllokohet nëse të drejtat e grave dhe vajzave nuk respektohen”, ka thënë Blinken.

Deri më tani Qeverinë e drejtuar nga talebanët në Afganistan nuk e ka njohur asnjë shtet në botë.

Shtetet e Bashkuara e kanë shmangur kontaktin direkt me talebanët, kryesisht për shkak të trajtimit të grave, të cilat e kanë pësuar goditjen më të rëndë pas kthimit të talebanëve në pushtet.

Vajzave u është ndaluar shkollimi pas klasës së gjashtë, ndërsa grave u është ndaluar puna në organizata joqeveritare vendore dhe ndërkombëtare, si dhe u është kufizuar liria e lëvizjes.

Talebanët janë kthyer në pushtet në Afganistan në gusht të vitit 2021, pasi presidenti amerikan, Joe Biden i ka tërhequr trupat amerikane nga ky shtet, duke e respektuar një marrëveshje të arritur në shkurt të vitit 2020 në mes të talebanëve dhe administratës së ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Blinken e ka mbështetur vendimin për tërheqje të trupave amerikane.
“Vendimi për t’u tërhequr nga Afganistani ka qenë jashtëzakonisht i dhimbshëm, mirëpo më i duhuri”, ka thënë Blinken.

“Ne i kemi dhënë fund luftës më të gjatë të Amerikës. Për herë të parë në 20 vjet, ne nuk kemi një gjeneratë të amerikanëve të rinj që shkojnë diku për të luftuar edhe për të vdekur”.

Një numër i organizatave ndërkombëtare për të drejta të njeriut i kanë përshkruar dy vjetët e udhëheqësisë së talebanëve si të turpshme dhe tejet shqetësuese.

Talebanët kanë thënë raportimet për trajtimin e grave në Afganistan janë propagandë e organizatave ndërkombëtare.
Ata kanë thënë se i kanë forcuar të drejtat e grave, në linjë me parimet e Islamit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb