Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, është rikthyer sot para ambienteve të News24, ku ende vijon prej ditësh bllokada e policisë ndaj godinës ku operojnë gjithashtu Panorama, Gazeta Shqiptare dhe BalkanWeb.
Balliu e cilësoi këtë situatë si një “sulm frontal” ndaj lirisë së fjalës, duke akuzuar qeverinë për një plan të qëllimshëm për rikthimin e formave diktatoriale të qeverisjes.
“Ajo që po ndodh me News24 është rast i përsëritur. Është e drejta e çdo televizioni të zgjedhë çfarë do të promovojë. Nëse respekton lirinë, gjëja e parë që duhet të bësh është të respektosh atë që të kritikon më shumë. Sot nuk lejohet fjala dhe mendimi ndryshe,” tha Balliu.
Sipas tij, arsyeja e ndërhyrjes së forcave të rendit lidhet drejtpërdrejt me denoncimet e gazetarëve të News24 mbi aferat korruptive dhe lidhjet e qeverisë me krimin e organizuar, si edhe mbi krizën në sistemin shëndetësor.
“Nëse do ishit duke fshehur krimet e qeverisë, do ju kishin dhënë edhe një shkollë për studio më të mëdha. Por, kur e denonconi, ata ju sulmojnë. Kjo nuk është çështje individësh, është çështje kombëtare,” theksoi ai.
Balliu solli edhe një shembull konkret të shpërdorimit të fondeve publike nga qeveria, duke përmendur tenderin për një tapet 80 mijë euro në Kuvend.
“Ky është një nga ato raste që tregon si shpenzohen paratë e shqiptarëve. Dhe pikërisht që këto afera të mos bëhen publike, ata mbyllin televizionet që i denoncojnë,” shtoi ai.
